Për vetëm dy vjet, ministritë, komunat dhe agjencitë tjera publike, kanë ndarë mjete financiare në formë të subvencioneve për Organizatat Jo-Qeveritare, 27 milionë e 859 mijë e 305 euro.
Këto të dhëna janë bërë publike sot në prezantimin e raportit të parë për Financimin Publik të Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë.
Vetëm në vitin 2015 tek OJQ-të janë transferuar 13 milionë e 975 mijë e 988 euro, ndërsa, në vitin 2016 janë transferuar gjithsejtë 13 milionë e 883 mijë e 316 euro.
Duke krahasuar vitin 2016 me vitin 2015, ka një rritje të mbështetjes në nivel qendror për vitin 2016, ndërsa ka një rënie në nivelin komunal.
Sipas këtij raporti, numri i OJQ-ve përfituese për vitin 2015 në nivel qendror janë 745, ndërsa, për vitin 2016 711.
Ndërsa, në nivel të komunave ky numër është edhe më i lartë dhe në vitin 2015 kanë pranuar fonde publike 955 OJQ, ndërsa në vitin 2016 janë 936 OQJ që janë mbështetur me fonde nga komunat.
Nga 38 komuna sa ka Kosova, 37 prej tyre kanë ofruar mbështetje financiare publike për OJQ-së.
Sipas raportit, për vitin 2015 komunat kanë ndarë 7 milionë e 601 mijë e 79 euro, ndërsa në vitin 2016, 7 milionë e 2012 mijë e 827 euro, duke pësuar kështu një rënie e financimit të OJQ-ve në vitin 2016 në krahasim me vitin 2015 për 0.4 milion.
Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini e ka quajtur publikimin e raportin rritje e transparencës dhe llogaridhënies tek mbështetja financiare për OJQ-të.
Ai tha se të dhënat janë marr nga thesari i Kosovës nga pagesat që janë bërë brenda vitit fiskal.
Libor Chlad, zëvendës kryesues i sektorit për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë theksoi se BE-ja ka përkrahur shoqërinë civile në Kosovë, sepse një shoqëri civile demokratike luan rol të rëndësishëm në secilin shtet.
Përfaqësuesja e shoqërisë civile, platforma CiviKos, Florina Duli theksoi se analiza përveç që ndriçon deri në një masë praktikat aktuale të financimit të OJQ-ve, ajo pritet të ndihmojë që reforma e planifikuar në sektorin e kontraktimit të OJQ-ve për ofrim shërbimesh publike të implementohet sipas standardeve me të mira evropiane, duke mos u lënë hapësirë praktikave të nepotizmit dhe korrupsionit.
Raporti përmban katër rekomandimet.
Raporti i rekomandon Qeverisë që sa më shpejt të miratoj rregulloren për kritere, standarde dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, institucionet publike si, ministritë, komunat dhe agjencitë duhet të rrisin transparencën lidhur me mbështetjen financiare për OJQ-të, Qeveria duhet të rris kapacitetet e saj për planifikim, implementim dhe monitorim të projekteve të OJQ-ve të financuara nga fondet publike dhe qeveria të përmirësoj procesin e koordinimit të politikave me qëllim të sigurimit të një implementimi unik të legjislacionit mbi financimin publik të OJQ-ve në kuadër të institucioneve publike.