4.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Për çka po akuzohen ish-ministrat Krasniqi dhe Shala, cili ishte versioni i tyre në Prokurori, e çka deklaroi Hoti?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Vesel Krasniqi në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë akuzohet se me dashje dhe dijeni, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe pa autorizim ka iniciuar dhe zbatuar procedurat ligjore për përgatitjen e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, të cilin e ka miratuar më 11 nëntor 2020, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ky UA sipas aktakuzës përmban disa nene të cilat janë në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesit privat, përkatësisht me nenet 51 dhe 54 të këtij udhëzimi, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana pa kosto shtesë.

Aktakuza thotë se kjo çështje me këtë vendim ka kaluar te operatorët ekonomikë privatë dhe si rrjedhojë e kësaj në një proces jotransparent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me vendimin e 30 dhjetorit 2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane OE “Sicpa SA” si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivative të lëngëta të naftës.

Ndërsa, thuhet se më 14 janar 2021, kishte nëshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila ishte dëmtuar interesi publik në shumën 11 milionë e 235 mijë e 706 euro e 31 centë, duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës me qëllim përfitimi për kompaninë private dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës, si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.

Me këto veprime, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Kurse, Endrit Shala akuzohet se në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër.

Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.

Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë.

Andaj, për këto veprime, Shala ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.

Përmes kësaj aktakuze, prokurori special Milot Krasniqi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik.

Çka dëshmoi ish-kryeministri, Avdullah Hoti në Polici?

Lidhur me këtë rast, në aktakuzë thuhet se në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar disa persona në Polici, mes tyre edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ky i fundit thuhet se ka deklaruar që lidhur me vendimin e shfuqizuar nga ish-ministri Vesel Krasniqi dhe nxjerrjen e UA, është kompetencë e ministrave që të miratojnë udhëzime administrative në kuadër të fushëveprimit të dikasterit të tyre në bazë të ligjit.

“Shoqata e Naftëtarëve më ka njoftuar më datë 28.10.2020 përmes shkresës nr.294 se gjatë shqyrtimit të draft-udhëzimit administrativ kishin gjetur shkelje ligjore dhe kishin kërkuar plotësim-ndryshimin e Draftudhëzimit dhe unë si kryeministër kam vepruar në përputhje me udhëzimin e Zyrës logjore të Zyrës së Kryeministrit”, citohet të ketë deklaruar Hoti.

Po ashtu, ish-kryeministri kishte deklaruar se në takimin me Krasniqin, zyrtarë të Shoqatës së Naftëtarëve dhe zyrtarë të Doganës, nuk është në dijeni nëse ish-ministri ishte zotuar që ta shfuqizojë vendimin U/A nr.09/2020, duke shtuar se edhe pse ka hapur tender për lincencim të kompanisë, këto janë veprime të ministrave përkatës, për të cilat kryeministri nuk vihet në dijeni.

Më tej, thuhet se pas njoftmit të Zyrës Ligjore se nuk janë marrë veprimet e nevojshme, i është kërkuar ministrit përgjigje në shkresën e Kryeministrit. Krasniqi në përgjigje kishte theksuar se është duke i marrë veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me kërkesën.

“Nuk më kujtohet shkresa e Shoqatës së Naftëtarëve e datës 21.12.2020, por kryeministri vepron në bazë të udhëzimeve të Zyrës ligjore të Zyrës së Kryeministrit”, citohet të ketë deklaruar më tutje Hoti.

Në fund, thuhet se Hoti ka thënë se i ka dhënë kohë Krasniqit që ta shfuqizojë UA, duke shtuar se veproi në përputhje me kompetencat e tij sipas rekomandimeve të Zyrës Ligjore në kuadër të ZKM.

Çfarë kishin deklaruar në Prokurori të akuzuarit Shala dhe Krasniqi?

I akuzuari Endrit Shala në deklaratën e dhënë në Prokurori më 3 nëntor 2023, në mbrojtjen e tij, ndër të tjera kishte deklaruar se për fushën e konfliktit të interesit si ministër, kryesisht ishte shërbyer me opinione të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK).

“…meqenëse objekti i hetimit është vendimi i nënshkruar nga unë që mban datën 30.05.2019, unë jam shërbyer me Opinionin e AKK, me nr.protokolli 01.3393/2014, datë 26.09.2019”, ka thënë Shala.

Ai ka deklaruar se ky opinion APK-së ia ka hequr dilemat në interpretim, nëse burri i motrës së gruas cilësohet apo jo anëtar i afërm me zyrtarin.

“Edhe pse Departamenti ligjor më kishte siguruar se nuk ka konflikt të interesit nëse përballem me ndonjë çështje, ku burri i motrës së gruas do të ishte pjesë e ndonjë aktiviteti procedural apo kontraktual me ministrinë, une megjithatë pa e gjetur dhe konsultuar këtë Opinion nuk kam ndërmarrë asnjë veprim e as nuk kam nënshkruar asnjë vendim”, citohet të ketë thënë ndër të tjera i akuzuari Shala në Prokurori.

Ai kishte thënë se këtë interpretim ligjor e kishte kërkuar për shkak se OE “Euro Inspekt” që nga viti 2014 ishte pajisur me vendime si formë autorizimi për nevoja të ministrisë. Kishte thënë se autorizimet çdo herë i ishin vazhduar OE në fjalë edhe nga ministrat paraprak.

Më 23 prill 2019, tha se e kishte refuzuar kërkesën për vazhdimin e emërimit për vlerësim të OE në fjalë përkitazi me vlerësimin e konformitetit për cilësinë e karburanteve. Ky refuzim, tha se ishte bazuar në rekomandimin e komisioni vlerësues.

Shala ka deklaruar se pasi që komisioni kishte verifikuar se gjithçka është në përshtatshmëri ligjore dhe kishte rekomanduar që t’i vazhdohet emërimi si trupë për vlerësimin e cilësisë së karburanteve, ka aprovuar kërkesën, duke u bazuar në rekomandimet e komisionit.

“Për korrektësi, shumë vonë pas nënshkrimit të këtij vendimi unë e kam vërejtur se i është aprovuar kërkesa OE “Euro Inspekt” për shkak se brenda ditës kam nënshkruar me dhjetëra vendime dhe si në çdo rast tjetër ka qenë e pamundur që të lexohet secili veç e veç, por jam mbështetur në punën dhe vlerësimin e komisionit…”, është arsyetuar i akuzuari Shala.

Më tej, thuhet se Shala ka deklaruar se konfliktin e interesit e ka përjashtuar si mundësi ekzistimi, jo vetëm përmes opinionit të Agjencisë, por edhe opinionit të Departamentit ligjor si dhe atij të Qeverisë. Po ashtu, kishte thënë se vendimi që e kishte nënshkruar nuk përbën me vete proces të vendimmarrjes, por kjo çështje i ka takuar komisionit vlerësues.

Gjithashtu, Shala kishte thënë se autorizimin për kompaninë në fjalë ka kuptuar se e kishte nënshkruar pas mandatit të tij edhe ministrja Rozeta Hajdari.

“Nënshkrimin nuk mund ta pohoj e as ta mohoj për Vendimin për emërimin 01.Ref.nr.36, datë 30.05.2019, me të cilin Operatori ekonomik (OE) me emrin tregtar: N.Sh. “Euro Inspekt”, për shkak se dokumenti që unë e posedoj është në kopje dhe meqë mungon origjinali, e kam të pamundur që të deklarohem me saktësi”, citohet të ketë deklaruar Shala.

E në fund, në aktakuzë thuhet se për Valdet Teneqen ka thënë se si emër nuk i tingëllon se e njeh, por mund ta njohë në rast se e takon.

Në anën tjetër, Vesel Krasniqi në deklaratën e dhënë në Prokurori më 13 korrik 2023 në mbrojtjen e tij kishte deklaruar se nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë kishte pranuar kërkesë për inicimin e procedurave për rregullimin e fushës së karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e të cilat ishin përfshirë si vërejtje apo rekomandim në Raportin e Auditimit të Jashtëm më 2019. Për këtë auditim, kishte thënë se Auditori ishte bazuar edhe në vërejtjet e qytetarëve si dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Naftëtarëve.

Sipas tij, kjo kërkesë ishte përfshirë në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ku në një pikë ishte trajtuar informaliteti dhe kontrolli i cilësisë së naftës dhe se në planin e punës së ministres pararendëse Rozeta Hajdari ishte paraparë rregullimi i kësaj çështjeje. Kurse, nga sekretari i përgjithshëm, Krasniqi ka thënë se ishte njoftuar se çështja është në Planin e Punës.

Po ashtu, Krasniqi kishte deklaruar se kishte dalë në terren bashkë me inspektorë të ministrisë, ku janë marrë disa mostra të produkteve të naftës, e që për këtë inspektim ishin hartuar raporte zyrtare, në të cilat ka rezultuar se produktet e naftës kanë qenë të përfshira në parregullsi të pjesshme.

“Udhëzimin administrativ nr.01/2017 e kemi shfuqizuar për faktin se Dogana e Kosovës e cila me udhëzimin paraprak ka pasur përgjegjësi që përmes laboratorit të saj të bëj kontrollin e cilësisë së naftës dhe që nuk e ka kryer këtë detyrë dhe në kohën kur e kam marrë këtë detyrë nuk ka qenë i akredituar nga ministria, për shkak se nuk i ka plotësuar kriteret”, citohet të ketë thënë Krasniqi.

Ish-ministri ka deklaruar se nga 2007 deri më 2020 kontrollin e cilësisë së naftës e ka bërë Inspektorati i Tregut, e më pas ishte autorizuar Dogana. Në të njëjtën kohë, sipas tij kanë qenë të autorizuar edhe katër trupa brenda MTI-së.

“Unë si ministër kam nënshkruar dokumente të shumta pasi që ato janë vlerësuar dhe shqyrtuar nga dikasteret dhe grupet punuese të ministrisë”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nuk ka tentuar të ndikojë tek kryesuesi i komisionit që të ndërhyjë në nenet e UA-së.

Në fund, në Prokurori ish-ministri ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë veprim për shfuqizimin e UA dhe se lidhur me tenderin për licencim të kompanisë që do të merret me shënjim (markim) të derivateve, në atë kohë kanë qenë në bisedime me Zyrën e Kryeministrit dhe se nuk ka qenë në dijeni se dikasteret e caktuara të MTI-së kanë vazhduar me zbatimin e Udhëzimit.

“Hapja e këtij tenderi nuk është bërë as me kërkesën as me dijeninë time”, kishte deklaruar Vesel Krasniqi.

Ndryshe, Shala ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018-2020, kurse Krasniqi në periudhën qershor 2020- mars 2021.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img