0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Për 10 muaj bankat në Kosovë fituan 120 milionë euro

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë arritur që të arkëtojnë në stoqet e tyre gjithsej 120 milionë euro fitim të pastër vetëm nga janari deri në fund të muajit tetor të këtij viti. Ky është rekordi më i lartë i profitit neto në historinë e bankave në Kosovë deri më tani.

Bankat komerciale në Kosovë kanë thyer edhe një rekord të ri.

Nga janari deri në fund të muajit tetor të këtij viti, ato që kanë fituar hiç më pak se 120 milionë euro.

Në këto fitime enorme të tyre, po kontribuojnë në masë të lartë normat e larta të interesit në kredi, si dhe tarifat e larta të shërbimeve (të hyrat nga jo-interesi), të cilat në vitin e fundit pothuajse të gjitha janë rritur shkaku edhe i inflacionit të lartë që po mbretëron në Kosovë e rajon.

Për dallim nga shuma prej 107.7 milionë eurove sa ishte profiti neto i tyre në fund të muajit shtator 2022, vetëm për një muaj, bankat në vend kanë shtuar në llogaritë e tyre edhe 12.6 milionë tjera. Kurse, deri në muajin gusht kjo vlerë ishte gjithsej 97 milionë euro.

Në anën tjetër, nga janari deri në muajin korrik të këtij viti, bankat në vend kishin regjistruar fitim neto prej 83.3 milionë eurove, deri në qershor të njëjtat kishin arkëtuar gjithsej 67.5 milionë euro profit neto, kurse vetëm deri në maj, fitimi i tyre ishte regjistruar në një shifër prej 56.4 milionëve. Pra, për vetëm një muaj operim (qershor-korrik), bankat në vend kanë arritur të shtojnë fitimet e tyre për 15.8 milionë euro, ndërsa balanca mes korrikut dhe gushtit ishte 13.7 milionë euro fitim.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rrjedhën e sistemit financiar për muajin tetor të vitit 2022, të hyrat totale në këtë sektor deri në fund të muajit, ishin në vlerë të 303 milionë eurove, për dallim nga muaji shtator kur të njëjtat ishin në vlerë të 270.5 milionë eurove. Prej tyre, gjithsej 214.9 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi. Ndërsa, shpenzimet totale të këtij sektori për këtë periudhë ishin 182.7 milionë, kurse shpenzimet për interes ishin vetëm 21.2 milionë euro.

Ndërkohë, normat efektive të interesit u ndryshuan për nga një pikë në krahasim me muajin shtator të këtij viti, në kahe negative.

Norma e përgjithshme e interesit nga 6.3% sa ishte në shtator, ra në 6.2% në tetor, derisa norma e interesit për kreditë e dhëna për ekonomitë familjare në këtë periudhë ra në 6.0%, nga 6.1% sa ishte në shtator, për ato konsumuese ra po ashtu në 6.3%, nga 6.4%, kurse ajo për kreditë për korporatat jofinanciare ra në 6.3% nga 6.5% sa ishte në muajin shtator.

Vlera totale e shumës së dhënë për kredi deri në muajin tetor të këtij viti, arriti në 4 miliardë e 268.3 milionë nga 4. 230.3 milionë euro sa ishte vlera në shtator. Prej gjithë kësaj shume, 1 miliardë e 595.1 milionë euro ishin kredi për ekonomitë familjare, 2 miliardë e 645.0 milionë tjerat për korporatat jo financiare, dhe 11.2 milionë euro për korporatat tjera financiare.

Kurse depozitat e qytetarëve të ruajtura nëpër bankat komerciale në vend, në muajin tetor arritën në 5 miliardë e 289.2 milionë euro, nga 5 miliardë e 258.4 milionë sa ishte vlera e tyre në qershor.

Aktualisht, vlera totale e aseteve të sektorit bankar në vend, është 6 miliardë e 65.0 milionë euro.

Edhe gjatë vitit të kaluar, fitimi neto i këtyre institucioneve bankare në vend kishte shkuar mbi 100 milionë euro, duke e tejkaluar kështu mesataren disavjeçare që zakonisht ishte përmbyllur me nga 80 milionë euro, kurse sivjet profiti prej 100 milionëve u arrit gjatë shtatorit, ku fitimi neto ishte 107.7 milionë. Nëse vazhdon ky ritëm i njëjtë i fitimeve të bankave edhe për dy muaj sa kanë mbetur deri në përfundim të vitit, fitimi vjetor neto i bankave pritet t’i afrohet 150 milionëshit.

Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 11 banka komerciale, prej të cilave 9 janë me kapital të huaj. Numri i degëve të tyre 211, kurse këto banka kanë të punësuar 3,636 punëtorë./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img