1.6 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Pensionistët “inekzistentë” kosovarë

Për të gjithë kosovarët e punësuar, edhe për ata që kanë paga sa pesë –gjashtë pensione të pensionistëve shumicë absolute të Kosovës, po gjenden para e mënyra për t’i dhënë ato, pos për pensionistët, që vazhdojnë të kenë pensione 100 euro (pensione të pleqërisë) dhe 200-260 euro (pensione kontributëdhënëse, sosh të pensionistëve të Kosovës që me 40-45 e 50 vjet pareshtur punuan në ndërtimin e Kosovës).

Edhe në këtë muaj, Qeveria aktuale u kujtua për shumicën e të punësuarve, duke ua dedikuar qoftë rritjen e pagave nëpërmjet Ligjit të pagave, koeficientit të ngritur të pagave, që së shpejti do të fuqizohet, apo qoftë me ndonjë dedikim shtesë në para për kategori të caktuara të punësuarish.

Qeveria e Kosovës ka ndarë nga 50 euro shtesë për muajin janar për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur më 24 janar, tha se ka qenë premtim i Qeverisë që të paguhet kjo shtesë deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave në muajin shkurt. Murati bëri me dije se Qeveria ka vendosur që ta vazhdojë edhe këtë muaj ndarjen e shtesave prej 60 eurosh edhe për punëtorët shëndetësorë.

“Bëhet fjalë për vazhdimin e shtesës për punëtorët shëndetësorë, marrë parasysh që Ligji i Pagave pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, ndërsa shtesa ka qenë e paraparë deri në fund të vitit fiskal”, tha ai.

Dhe, prap asnjë fjalë për pensionistët. Asnjë zë i vetëm nuk u dëgjua me këtë rast as nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend, as nga opozita dhe krerët e saj, as nga paria e sindikalistëve të vendit, të cilët, së paku për obligim moral, do të duhej ta ngrenin zërin një herë të vetme për gjithë këtë injorim dhe mospërfillje totale ndaj brengave të pensionistëve të Kosovës. Por, këta të gjithë të lartëpërmendurit, edhe përfaqësuesit e popullit, edhe krerët e opozitës edhe prijësit e sindikalistëve nuk lanë rast, madje lanë nam me agresivitetin e tyre, gjatë insistimeve të parreshtura dhe të pamata fare për përcaktimin e koeficientit të pagave në Ligjin e pagave.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat në Kosovë, me hatërmbetje të shprehur ne medie, këto ditë, duke vlerësuar Ligjin për pagat, tha se “Të bësh një lloj ndarje të këtyre punëtorëve, ku përbën pjesën më të madhe që paguajnë tatimet dhe janë stimuluesi më i madh i arkës së shtetit dhe kur dihet që punëtorët e sektorit publik janë dy deri në trefish me paga më të mëdha, kjo në të vërtet nuk do koment”.

Sipas tij, po vazhdohet të bëhet padrejtësi karshi punëtorëve privat.

“Të mos stimulohet një punëtor që merr pagë 170 euro, e të stimulohet ai që merr 1,700 euro, e kjo është hera e katërt që bëhet kjo padrejtësi. Kjo qeveri nuk është e punëtorëve privat”, shtoi ai.

“Përderisa ne jemi sektor prodhues, e ai publik konsumues, pra nga këtu kuptojmë se laku është futur te punëtorët e sektorit privat. Kjo qeveri nuk është për punëtorët e sektorit privat”, përfundoi Azemi.

Dhe mirë, që Azemi doli në mbrojtje të punëtorëve të sektorit privat, me këtë rast. Sepse, favorizimi i sektorit publik nga Qeveria në kohën kur niveli i pagave mesatare (neto) në sektorin publik është 542 euro, karshi sektorit privat që ende ka nivelin e pave mesatare neto 376 euro, është përtej padrejtësisë. Është përbuzje e paprecedentë e punëtorëve privatë. Por, Jusuf Azemi, edhe kësaj here nuk e tha asnjë fjalë të vetme për gjithë ata pensionistë të republikës që marrin pension prej 100 eurosh. Nuk e thanë asnjë fjalë për pensionistët me këtë rast, në mbledhjen e 121-të të Qeverisë së Kosovës, kur u debatua dhe u shqyrtua dedikimi i parave shtesë për punëtorët e sektorit publik, as zyrtarët.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, është mjaftuar të akuzojë Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për autoritarizëm edhe gjatë debatit për caktimin e koeficientit për pagat e ardhshme që do të përcaktojë Ligji i pagave.

“E kemi një qeverisje që shkon drejt autoritarizmit që i jep një lloj kënaqësie kryeministrit Kurti që e thotë fjalën e vet dhe në bazë të asaj fjale do të marrë pagë secili qytetar që paguhet nga buxheti i Kosovës. Kjo nuk shkon në një sistem demokratik. Këtu do të duheshin të mblidheshin disa akterë të ndryshëm”, shtoi Tahiri.

Sipas tij, koeficienti nën 130 euro “nuk do të arrijë të sigurojë pagë e cila do të japë një jetë të dinjitetshme”. Por, Tahiri dhe deputetët e tjerë të PDK-së, edhe me këtë rast, nuk u kujtuan fare për pesionistët. Ngulmonin, siç u veprua jo pak herë në këto vite, vetëm për pagat e tyre. Boll i zëshëm rreth koeficientit të mundshëm të pagave për shërbyesit civil në bazë të Ligjit të pagave, ishte edhe ish-kryeministri dhe deputeti aktual nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti. Sipas tij, në rast se koeficienti është 125 euro, atëherë i bie që nuk ka rritje të pagave.

Hoti, madje ka thënë se vlera e koeficientit të pagave (është fjala për shërbyesit civil) duhet së paku të jetë 137.5 euro, për shkak të, sipas tij pasojave të inflacionit dhe të rënies së fuqisë blerëse. Por, edhe Hoti, sërish me këtë rast, pos angazhimit të madh për të rritur koeficientin e pagave në sektorin publik, që i bie edhe për pagën personale, nuk u dëgjua ta thotë një fjalë të vetme për ndikimin e inflacionit dhe të rënies së fuqisë blerëse të pensionistëve kosovarë, shumica e tyre me 100 euro pension. Këto janë faktet. Deri kur do të anashkalohen dhe do të përbuzen në këtë nivel pensionistët kosovarë, mbetet të shihet. Në të gjitha shtetet e rajonit, edhe në ato që fare pak kanë dallim nga varfëria e Kosovës, rritja e pensioneve dhe dhënia e ndihmave shtesë krahas punëtorëve të tjerë, nuk kanë rreshtur. /Buletini Ekonomik

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img