Pesë demonstrues tajlandez të mërkurën do të njihen me vendimin e drejtësisë në vend, me gjykatën që do të shprehet nëse ata do të ekzekutohen ose jo, pasi akuzohen se penguan autokolonën e mbretëreshës së vendit gjatë një marshimi pro-demokracisë në vitin 2020.
Qindra çështje penale janë ngritur për protestat e drejtuara nga studentët në vitet e fundit, por vetëm pesë të pandehurit e ktij rasti janë akuzuar për shkelje të nenit 110 të Kodit Penal, një vepër që, nëse gjykohet e rëndë, mund të çojë në dënim me vdekje.
Ky ligj tajlandez ndalon “veprimet që mund të shkaktojnë pengesë në lirinë e mbretëreshës, trashëgimtarit të fronit dhe regjentit“.
Incidenti në fjalë, pasoi një tubim antiqeveritar në Bangkok më 14 tetor 2020 – ditën e përvjetorit të një kryengritjeje popullore në 1973 që çoi në rrëzimin e diktaturës ushtarake që sundonte vendin.
Në këtë ditë, teksa qindra protestues marshuan drejt zyrave të kryeministrit në Shtëpinë e Qeverisë, një autokolonë mbretërore me një limuzinë ku qëndronte mbretëresha Suthida, gruaja e mbretit Maha Vajiralongkorn, dhe djali i tij, Princ Dipangkorn Rasmijoti, u shfaq në të njëjtën rrugë.
Imazhet nga ajo ditë nuk tregojnë ndonjë sjellje të dukshme kërcënuese ndaj makinës së mbretëreshës, megjithëse disa njerëz në turmë mbajnë lart pankartat me tre gishta të lëvizjes pro-demokracisë.
Aktivisti studentor Bunkueanun Paothong, i njohur gjerësisht me pseudonimin e tij Francis, është një nga të pandehurit dhe mban profilin më të lartë për shkak të dëshirës së tij për të folur për rastin.
Prokuroria akuzon 23-vjeçarin dhe shokët e tij të pandehur se u larguan nga marshimi për t’i nxitur bashkë protestuesit të bllokojnë autokolonën. Ai gjithashtu pretendon se ata u përleshën me oficerët e policisë që po siguronin rrugën e makinës së Mbretëreshës.
Në një intervistë të fundit me Associated Press, ai tha se akuza pretendon se ai komplotoi me katër të tjerët për të dëmtuar lirinë e mbretëreshës.
Francis u dorëzua në polici dy ditë më vonë dhe u akuzua sipas nenit 110. Dënimi minimal për të është 16 vjet burg, por dënimi me vdekje ose burgimi i përjetshëm është i mundur nëse provohet se njëri prej të pandehurve ka vendosur jetën e mbretëreshës në rrezik.