Site icon PrishtinaPress

Pendarovski: Prania e 5000 ushtarëve të NATO-s në Kosovë, është garanci se kriza nuk do të përhapet në rajon

Është mirë që Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, për të parandaluar një konfrontim të drejtpërdrejtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

“Prania e 5000 ushtarëve të NATO-s në Kosovë është garanci se kriza nuk do të përhapet në rajon. Është mirë që Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, për të parandaluar një konfrontim të drejtpërdrejtë mes ushtrive të Kosovës dhe Serbisë”, tha Pendarovski.

Ndryshe, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.

Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.

Policia e Kosovës e gjeti dhe konfiskoi një arsenal armësh pas sulmit.

Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, nënkryetar i deritashëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

“Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell.

Exit mobile version