Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve në vendin tonë.
Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur pas mesnate, të hënën, në rrugën “Bill Clinton” në Pejë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një 24-vjeçar ka raportuar në Polici se është sulmuar nga disa persona, të cilët ia kanë zënë pritën e madje edhe e kanë kërcënuar me armë.
Viktima fillimisht është ndaluar në mes të rrugës, ku ka pasur një debat me të dyshuari, e më pas ka deklaruar se të njëjtit e kanë rrahur me mjete të forta, derisa ai ka arritur të ikë, me shpresën se ka shpëtuar.
Por, sipas informacioneve të para, të dyshuarit i janë vënë në ndjekje të riut, derisa të njëjtin e kanë ndaluar sërish.
Motivet e rastit janë akoma të panjohura, por ajo që dihet është se Policia ka arritur ta arrestojë njërin nga të dyshuarit, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Të njëjtat burime thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të nisin hetimet për identifikimin dhe kapjen edhe të të dyshuarve të tjerë dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme posa të sigurohet prezenca e tyre./PrishtinaPress/