Shishet e vajit zbrazen pa kursim. Duart fërkojnë trupin, që çdo pjesë të vajoset. Vaji përshkon në tërësi edhe kispetin, që duket se ka formën e pantallonave, por në fakt është veshje speciale e pehlivanëve, e prodhuar nga lëkura e kafshëve dhe peshon bukur shumë, shkruan sot Koha Ditore.
Kësisoj mundësit popullorë përgatiten për ndeshjet me kundërshtarët e tyre. Vajosja pehlivanit i shërben që gjatë përballjes, kundërshtarit t’i rrëshqasin duart dhe kështu t’i shmanget rrëzimit me shpinë në bar të gjelbër, përkatësisht humbjes.
Si përgatitja për përballje ashtu edhe ballafaqimi ndërmjet pehlivanëve përcillet me muzikë të tupanëve e surleve.
Sportistët popullorë realizojnë edhe një ritual kërcimi, me hapa para e prapa dhe me duart e ngritura lart herë njëra e herë tjetra të shoqëruara me muzikë popullore. Më pastaj të ndarë në grupe, nisin të ndeshen në dyshe. Përballjet mes pehlivanëve më të shquar mund të zgjasin shumë orë. Në piketë është edhe çështja e krenarisë.