Peci takohet me homologun e tij të shtetit izraelit, flasin për avancimin e sektorit të bujqësisë në vend
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zhvilloi takim bilateral me homologun e tij nga shteti izraelit, Avi Dichter me të cilin bashkëbiseduan rreth sfidave dhe mundësive për avancimin e sektorit të bujqësisë në Kosovë, sigurisë ushqimore e politikave të sigurimit të ushqimit, e gjithashtu u dakorduan për iniciativa konkrete mes dy vendeve.
Pasi falënderoi Dichterin për gatishmërinë e shprehur që në një të ardhme të afërt të konkretizojnë dakordësimet e rrjedhura nga ky takim, Peci u shpreh se dyja palët u dakorduan për nxitje të projekteve të përbashkëta, me theks të veçantë përfitimin e ekspertizës së Izraelit në avancimin e teknologjisë në bujqësi e konkretisht në sistem të ujitjes e digjitalizim.
“Dy vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes shteteve tona, përmes këtij takimi u pajtuam që edhe më tutje ta thellojmë këtë miqësi”, tha ministri BPZhR-së.
Tutje, ai e ftoi Ministrin e Bujqësisë të Shtetit të Izraelit, Avi Dichter që ta vizitojë Kosovën dhe ta shohë më nga afër potencialin e saj zhvillimor bujqësor.
*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.