Site icon PrishtinaPress

Peci paralajmëron AAK-në: Shihemi të hënën

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka vazhduar përplasjet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, në lidhje me objektin në lagjen Ulpiana të Prishtinës, në të cilin kishte selinë partia e Ramush Haradinajt.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pasi Ministri i Bujqësisë, Faton Peci tha se kanë rikthyer 600 metra katrorë në shërbim të Ministrisë së Bujqësisë, në lagjen Ulpiana në Prishtinë, ku ndodhet selia e AAK-së.

Në reagimin e AAK-së e kanë quajtur manipulator ministrin Peci. AAK thotë se paguajnë qira mujore për shfrytëzimin e 569 metra katrorë, në katin përdhesë dhe të parë në vlerë prej 4552 eurosh në muaj, ku nuk përfshihet as bodrumi e as kati i dytë, që janë të mbyllura.

Peci ka thënë se Ministria e Bujqësisë ka kthyer sot 600 metra katrorë në shërbim të dikasterit që ai udhëheqë. Bëhet fjalë për hapësirën në Lagjen Ulpiana.

Peci ka njoftuar se së shpejti do të fillojë procesi i renovimit.

Mirëpo gati tre orë pas reagimit të AAK-së, Peci ka shkruar sërish.

Edhe ai ka publikuar pamje nga kati i dytë i objektit, në të cilin shihen shumë plisa të hedhur përtokë dhe mbeturina.

“Shihemi të hënën! Unë punoj edhe çdo fundjavë por duke qenë se kaloi orari i punës së administratës, shihemi të hënën! Ju uroj një fundjavë të qetë! P.s: Qytetarët më së miri e vlerësojnë përmes këtyre fotografive se kush janë manipulantët dhe matrapazët!”, ka shkruar ministri Peci.

Exit mobile version