Site icon PrishtinaPress

PE voton pas tre muajsh për liberalizimin e vizave për Kosovën

Në fund të muajit mars ose gjatë prillit Parlamentit Evropian pritet të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo është konfirmuar për Radio Kosovën nga zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Ojamo Janne.

Më 29-30 mars ose në seancën e 17-20 prill Parlamenti Evropian pritet të votojë për liberalizimin e vizave për kosovarët. Përmes një përgjigjeje me emaill, kjo është konfirmuar për Radio Kosovën nga zëdhënësi i Parlamentit Evropian, Ojamo Janne, raporton RTK.

Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme të enjten ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ky është votimi i parë në vargun e votimeve që pritet të ndodhin në javët në vijmë, e që do të çojnë deri te vendimi përfundimtar për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në fund, duhet të votojnë edhe ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së, kur edhe përfundojnë procedurat e votimit dhe vendimi shpallet në Gazetën Zyrtare.

Sipas vendimit tashmë të dakorduar, qytetarët e Kosovës do gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza, paralelisht me funksionalizimin e sistemit informativ evropian ETIAS, e në çdo rast, kjo do të ndodhë jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024.

Ndryshe, liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, e që përbëhet prej 26 shtetesh evropiane. Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në këtë zonë./Prishtinapress/

Exit mobile version