Parlamenti Europian më 18 prill pritet të miratojë dosjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Megjithatë, votim nuk do të ketë për të sepse do të miratohet pa këtë procedurë. Derisa, një ditë më pas pritet një ceremoni nënshkrimi për ligjin e ri.
Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Parlamentit Europian, Janne Ojamo.
“Aprovimi përfundimtar vazhdon të jetë i planifikuar për javën tjetër. Meqë kjo marrëveshje është në lexim të dytë, do të miratohet në seancë pa votim. Një ceremoni nënshkrimi për ligjin e ri do të mbahet të mërkurën më 19 prill në Strasburg”, ka thënë Ojamo.
Sidoqoftë, ai s’dha detaje se kush janë pjesëmarrësit e kësaj ceremonie.
Parlamenti Europian në vitin 2018 kishte dhënë pëlqimin e nevojshëm pas rekomandimit të Komisionit Europian se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave.
Ky institucion i Bashkimit Europian për vite me radhë ka kërkuar që t’i jepet fund padrejtësia e mbajtjes në izolim për qytetarët e Kosovës.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, vitin e kaluar pati thënë se thirrjet e tyre për këtë çështje po shkojnë në vesh të shurdhur.
“Me gjithë faktin se i kanë përmbushur të gjitha kërkesat tona, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë nevojë për viza për të hyrë në Bashkimin Europian. Thirrjet e përsëritura të Parlamentit Europian kanë hasur në veshë të shurdhër. Jo vetëm se kjo është e pandershme, por edhe e dëmton kredibilitetin e BE-së dhe na bën më të dobët”, pati thënë ajo.
Sipas marrëveshjes së dakorduar, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë lirshëm drejt BE-së nga 1 janari i vitit 2024. Në fillim, në marrëveshje si afat u caktua nëntori i 2023-ës, por kjo u kushtëzua nga Franca me funksionimin e sistemit ETIAS. Sidoqoftë, ky shans humbi meqë ETIAS do të vonohet.
Pas miratimit në PE, janë edhe pesë hapa para se përfundimisht të hyjë në fuqi vendimi:
– Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave
– Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave
– Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, Komisioni Europian, Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian
– Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi
– Liberalizimi i vizave hyn në fuqi
Që nga viti 2018, Komisioni Europian pati deklaruar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, megjithatë procesi nuk u çua më tej në hallkat tjera të BE-së. Për këtë arsye, ndër vitesh ka pasë zhgënjim te qytetarët, por me hapat aktualë të ndërmarrë nga institucionet e BE-së tashmë dhënia e fund e kësaj sage është reale./PrishtinaPress/