Komisioni Evropian ka thënë të mërkurën se pret që Serbia t’i hetojë në mënyrë transparente të gjitha ankesat për parregullsi gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor të vitit të kaluar.
Kështu ka thënë Komisionari evropian Didier Reynders, i cili ka përfaqësuar Komisionin Evropian në debatin për zgjedhjet në Serbi, që është zhvilluar në Parlamentin Evropian.
Sipas tij, shqyrtimi i parregullsive vlen edhe për burimet lokale, si në Beograd, ashtu edhe në komunat tjera.
Reynders ka thënë se pret që Serbia t’i zbatojë menjëherë të gjitha rekomandimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
“Ne jemi të gatshëm të mbështesim Serbinë në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Po ndjekim me vëmendje protestat në Serbi, pas zgjedhjeve. Më lejoni të nënvizoj rëndësinë dhe të drejtën e mbajtjes së demonstratave paqësore. Në të njëjtën kohë dhuna nuk është zgjidhje dhe nuk është e pranueshme”, ka thënë ai.
Debati për Serbinë është futur në rendin e ditës të seancës plenare të Parlamentit Evropian pasi një grup partish politike kanë bërë kërkesë për mbajtjen e një debati të jashtëzakonshëm.