Site icon PrishtinaPress

PDK: Vjosa Osmani shkeli ligjin, ta kthej në zyrën e saj fotografinë e Thaçit

Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas zhvendosjes së fotografitë së presidentit Hashim Thaçi nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani në zyrën ku ajo do të ushtroj detyrën e saj tash e tutje.

Ata shprehen se Osmani e ka shkelur Protokollin e Shtetit, dhe se zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike.

Madje, veprimin e saj e kanë quajtur primitiv dhe zgjedhjen e Osmanit në pozitën e kryetares së Kuvendit e kanë quajtur të dyshimtë.

“Vjosa Osmani,  e zgjedhur natën dhe me votat e Listës Srpska, ka shkelur rëndë ligjin NR.03/L-132 Për Protokollin e Shtetit të Republikës së Kosovës duke hequr fotografinë zyrtare të  Presidentit. Zbatimi i ligjit nuk varet nga dëshirat e askujt pavarësisht bindjeve politike dhe këtë gjë ajo duhet ta dijë mirë si eksperte dhe ligjëruese e jurisprudencës. Me veprimin e saj primitiv, kryekuvendarja e zgjedhur në mënyrë të dyshimtë, Vjosa Osmani përfaqëson mentalitetin e vjetër që synon hakmarrjen dhe përçon gjuhën e urrejtjes dhe përçarjes së qytetarëve. Që në ditën e parë në pozitën e re, ajo po dëshmon se përfaqëson vetëm interesin e saj brenda partisë së vet dhe jo ti shërbej institucionit ku është zgjedhur. Me këtë veprim anti-ligjor ajo gjithashtu fyen rëndë edhe institucionin që drejton, Kuvendin e Kosovës, tempullin e demokracisë dhe ligjvënies në vendin tonë”, thuhet në reagim.

PDK-ja ka bërë thirrje që të kthehet fotografia e Presidentit në zyrë, nga administrata e Kuvendit, në të kundërtën ajo do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht.

“PDK bën thirrje që kthimi i fotografisë së Presidentit të ndodhë sa më parë. Administrata e Kuvendit të Kosovës të reagoj pa vonesë, në të kundërtën, fotografia  e Presidentit do të rikthehet në pozitën e vet me çdo kusht, si ruajtje e karakterit kushtetues dhe sovranitetit të vendit”, shkruan në reagim.

Gjithashtu, PDK-ja ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar anën legale të zgjedhjes së Osmanit në këtë pozitë.

“Partia Demokratike e Kosovës ka dhënë shembull pas zgjedhjeve të 6 tetorit duke mbetur në opozitë dhe siguruar tranzicionin e pushtetit, por nuk  do të toleroj që të cënohet rendi kushtetues e ligjor dhe asnjë institucion  i rëndësishëm i Kosovës. PDK-ja është poashtu duke shqyrtuar dhe analizuar anën legale të zgjedhjes së saj si kryetare natën e mbrëmshme”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Exit mobile version