Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë së Partisë, në të cilën u diskutua për aktualitetin politik në vend, përfshirë skandalet dhe aferat e njëpasnjëshme të Qeverisë.
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja në Kosovë, për shtetin dhe qytetarët, është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.
“Përfshirja e këtij pushteti në afera të ndryshme, prej atyre me energjinë, rezervat shtetërore, tekstet shkollore, trafikimin e substancave narkotike, keqmenaxhimin e institucioneve të ndryshme dhe keqpërdorimet e shumta të detyrave zyrtare – shpërfaqin karakterin e vërtetë të kësaj Qeverie”, thuhet në njoftimin e PDK-së..
PDK shpreh shqetësimin e madh që si pasojë e kësaj qeverisjeje, mbi 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit, është rritur kosto e jetesës dhe çdo ditë po rritet numri i familjeve kosovare që po shkojnë drejt pragut të varfërisë.
“Për më shumë, është dëmtuar mirëqenia e qytetarëve dhe progresi i shtetit, ku si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, janë dëmtuar aleancat strategjike të shtetit dhe Kosova ka humbur një sërë fondesh të mëdha ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
“Partia Demokratike e Kosovës, përmes të gjitha organeve dhe zyrtarëve të saj, mbetet e angazhuar që të mbrojë interesin e shtetit dhe të qytetarëve. Për PDK-në, kjo Qeveri tashmë e ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme. Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, thuhet në njoftim.