Site icon PrishtinaPress

PDK: Pushteti i Kurtit mund të vonojë, por nuk mund ta ndalojë formimin e Komisionit hetimor për energjinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar në lidhje me dështimin e formimit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Krasniqi ka thënë se pushteti mund ta vonojë themelimin e këtij Komisioni por jo ta ndalojë atë duke shtuar se do të përdorë çdo mjet ligjor që sipas tij e vërteta të dali në shesh.

“Pushteti i Albin Kurtit, këtë proces mund ta vonojë por ju siguroj se nuk do të mundet ta ndalojë sepse ju themi sot që të jenë të bindur të gjithë se ky hetim do të ndodhë dhe veprat penale potenciale në lidhje me çështjet që janë subjekt i kërkesës për hetim parlamentar, jo vetëm që s’do ti heshtim, por do të përdorim çdo mjet demokratik e ligjor për të nxjerrë të vërtetën në shesh dhe për t’i dërguar përgjegjsit aty ku e kanë vendin”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai tha se përkundër insistimit të pushtetit nuk do të mund ta mbajnë fshehur atë që ka ndodhur në muajt e fundit.

“Përkundër insistimit të pushtetit për të mbajtur fshehtë krejt atë  që ka ndodhur për muaj të tërë, sot ju themi se arroganca e numrave  të pushtetit nuk do të mundet që ta mbaj të fshehur të vërtetën e cila duhet të dalë në dritë”, tha Krasniqi.

“Çka janë duke fshehur nga opinioni publik, që me kaq bindje po e shkelin ligjin dhe Kushtetutën vetëm për të pa mundësuar nxjerrjen e të së vërtetës në dritë? Çfarë shkeljesh e krime potenciale janë duke mbrojtur me këtë insistim kundër hetimit parlamentar? Pse kryeministri Albin Kurti po e pengon hetimin e rastit të faljes së mbi 100 milionë eurove të taksave të qytetarëve për KEDS-in? hetimin e rritjes së paligjshme të tarifave të rrymës nga ZRRE, punësimet familjare dhe partiake në KEK, blerjen e rrymës me çmime më të larta se të tregut gjatë dimrit, shitjen e rrymës me çmime më të ulëta se të tregut e shumë shkelje e parregullsi tjera?”, janë disa nga pyetjet që Krasniqi i ka drejtuar për Qeverinë.

Krasniqi deklaroi se si grup parlamentar i PDK-së nuk do të votojnë asnjë pikë të rendit të ditës pa u formuar Komisioni hetimor.

“Ne nuk do të votojmë për asnjë pikë të rendit të  ditës, për asnjë ligj, për asnjë çështje që do të vijnë në seanca të kuvendit pa u formuar komisioni hetimor. Do të jemi në Kuvend por, nuk do të votojmë”, theksoi ai.

Me pjesëmarrjen e vetëm 33 deputetëve në votim, nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kanë lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.

Exit mobile version