PDK po i përgatitë “gropën” Haradinajt

114
Advertisement

Numri dy i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ditë më parë deklaroi se vendit mund t’i kthehet dinjiteti vetëm me Kadri Veselin kryeministër dhe me PDK-në në krye të qeverisjes.

Advertisement

Në një tubim të mbajtur në Prizren, nënkryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, u shpreh se besimi në shtetin e Kosovës mund të kthehet vetëm me qeverisjen e PDK-së dhe me Kadri Veselin si kryeministër.

Krahu opozitar në vazhdimësi është duke e kërkuar rrëzimin e kësaj qeverie dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Gjersa, nuk hezitojnë edhe të deklarojnë se një gjë të tillë do mund ta bëjnë edhe me ndihëm e pozitës, në këtë rast të PDK-së, e cila së fundi ka filluar edhe t’i shpeshtojë kritikat për Qeverinë Haradinaj.

Opozita vlerëson se deklarimet e zëvendëskryeministrit Hoxhaj do ishin të mira si tregime për fëmijë, por, jo edhe për qytetarët e vendit, pasi që, sipas tyre, kjo qeveri ku Kadri Veseli është lideri i këtij koalicioni e kanë vrarë shpresën e njerëzve.

Ndërsa, në një linjë me opozitën shprehen të jenë edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend. Përveç saj, ata paralajmërojnë se ky është edhe një sinjal dhe matje pulsi për kryeministrin Ramush Haradinaj se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

Rugova: Koalicioni aktual, e ka vrarë shpresën e njerëzve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kadri Veseli dhe koalicioni aktual e kanë vrarë shpresën tek njerëzit.

“Ky do ishte tregim i mirë për fëmijë, por jo për qytetarët e vendit që kjo qeveri ku Kadri Veseli është lideri i këtij koalicioni e kanë vrarë shpresën e njerëzve të vendit për një jetë normale”, ka thënë Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, deputeti i opozitës, duke e kritikuar koalicionin qeverisës, mes tjerash ka thënë se edhe i kanë dëmtuar edhe imazhin Kosovës.

“Plotë fat që populli po i dinë mirë këta akterë që e kanë rrëzuar për toke imazhin e vendit”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, për gazetën “Bota sot”.

Mehmeti: PDK mbijeton përmes intrigave, krimit dhe manipulimeve

Ndërsa, nga ana tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, është shprehur se dinjiteti Kosovës mund t’i kthehet vetëm atëherë kur PDK është në opozitë.

Mehmeti konsideron se përveç krimit, kapje së shtetit, haraçit e familjarizimit, kjo parti s’ka çka tjetër të ofroj.

“Vendit mund dhe do i kthehet dinjiteti atëherë kur PDK është në opozitë, ndryshe e kemi parë që nga 2007 se çfarë dinjiteti i dha kjo parti vendit. Tashmë dihet çfarë ofron PDK; krim, kapje të shteti, haraç, familjarizim, monopol, varfëri dhe korrupsion”, ka thënë Mehmeti.

Sipas Mehmetit, e keqja më e madhe që mundet më i ndodhë Kosovës është ardhja e kryetarit të PDK-së në pozitën e kryeministrit.

“Andaj, e keqja më e madhe që mundet më i ndodhë Kosovës është me ardhë Kadri Veseli kryeministër, ky njeri i nëntokës që i ka duart e lara me gjak shqiptari. Enver Hoxhaj duhet të di se ka qenë shumë i dobët edhe si ministër i arsimit, i jashtëm dhe tani si zëvendëskryeministër”, ka thënë ai.

Krejt në fund, Mehmeti potencon se partia e Kadri Veselit po i përgatitë “gropën” e radhës edhe Ramush Haradinajt, ashtu siç kishte vepruar edhe me partitë e tjera.

“Me Partinë Demokratike të Kosovës shkojmë vetëm në shtet më të varfër, e kurrsesi në Evropë. Besojë se partia e Veselit po i përgatit “gropën” edhe Haradinajt, siç u ka bërë edhe të tjerave, e që nuk është çudi pasi kjo parti mbijeton përmes intrigave, krimit dhe manipulimeve”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Është fyerje për qytetarët të jepen këto deklarata

Edhe njohësi tjetër i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, duke e komentuar deklaratën e Hoxhajt, ka thënë se ky është sinjal dhe matje pulsi për kryeministrin Haradinaj se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

Krasniqi shprehet skeptik se mund t’i kthehet dinjiteti qytetarëve, me PDK-në në pushtet.

“Nominimi i Kadri Veselit për kryeministër, nga ana e bashkëpartiakëve të tij në Prizren, është sinjal dhe matje pulsi për kryeministrin se vendi mund të shkojë në zgjedhje. Por, kjo nuk do të thotë që PDK e dërgon vendin në zgjedhje pa i bërë mirë llogaritë se si mund të dalë në këto zgjedhje. Çfarë kryeministri mund të jetë Kadri Veseli? Çfarë mund të thuhet për njeriun e mistershëm të SHIK-ut? Një demagog i pashoq. Njeriu i nëntokës. Si mund t’i kthehet dinjiteti qytetarëve me një parti që është Alfa dhe Omega e çdo të keqe që i ka ndodhur këtij vendi”, ka thënë Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, Krasniqi nënvizon se janë fyerje për qytetarët deklaratat e zëvendëskryeministrit Hoxhaj.

Analisti politik krejt në fund thekson se asgjë e mirë nuk vjen nga Kadri Veseli dhe PDK.

“Është fyerje për qytetarët të jepen këto deklarata. Qytetarët po e braktisin vendin për shkak të tyre, kurse këta tallen me ta. Sikur qëllimisht po bëjnë deklarata të tilla. Asgjë e mirë nuk vjen nga ky njeri dhe nga kjo parti. Është dëshirë e tyre që kryeministrin ta kenë Kadri Veselin, por kjo s’do të thotë që PDK-ja do t’i fitojë zgjedhjet dhe ai do të bëhet kryeministër, sepse Vetëvendosje me Albin Kurtin dhe LDK me Vjosa Osmanin nëse i fiton zgjedhjet ne LDK, janë fuqishëm në lojë”, ka përfunduar Krasniqi.

Ndryshe, partia e Albin Kurtit kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe për arritjen e atij qëllimi do të organizojë takime me qytetarët e të gjitha qyteteve në Kosovën për t’i mobilizuar për protesta për ndërrimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt dhe shefit të shtetit Hashim Thaçi.

PostAdssFotoja e reklamës