-0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

PDK: PISA është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, Ministrja Nagavci të japë dorëheqje

Pas publikimit të rezultateve të Testit PISA, ku Kosova doli me rezultate të dobëta, Partia Demokratike e Kosovës përmes një konference për media tha se dje u konfirmua zyrtarisht se analfabetizmi qeveritar nuk arriti ta reformojë sistemin arsimor në Kosovë.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se me Qeverinë Kurti në tri vitet e fundit kriza në arsim vetëm sa është thelluar edhe më shumë.

“Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në Arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë. Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo, i atribuohet kësaj Qeverie e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë, por me logjikën si kanë funksionuar këto tri vite, kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit”, tha ajo.

Hoxha theksoi se Ministria e Arsimit jo vetëm që nuk ka bërë reforma në sistemin arsimor, por edhe i ka penguar ato.

“Po hyjmë në vitin e fundit të kësaj Qeverie, dhe 160 çerdhet e premtuara as afër nuk janë. As 10 sosh nuk janë ndërtuar. Nuk ka pasur asnjë reformë në Arsimin Fillor. Për më tepër, në vend që të bëjë reforma, zgjodhi që të luftoj nga njëra anë mësimdhënësit, e këtë vit nuk doli zot as obligimit kushtetutes dhe ligjor, që të siguroj falas librat për nxënësit e Kosovës. Po ashtu, besoj ju kujtohet lufta që ministrja Nagavci i kishte bërë kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në reformën e tij për arsimin fillor, duke i tejkaluar kompetencat e saj dhe duke shkelur Kushtetutën e Kosovës. E sa për digjitalizim e inovacion, as që është diskutuar ndonjëherë nga kjo Qeveri dhe as nuk ka ndonjë lëvizje”, tha ajo.

Ndërsa, anëtari i kryesisë së PDK-së, Muzafer Shala, tha se pas të gjeturave shqetësuese të nxjerra nga PISA, Ministrja e Arsimit është dashur qysh sot të jap dorëheqje.

“Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të bëjë prioritet adresimin e problemeve të cilat i ka evidentuar PISA”, shtoi ai.

PDK i ka propozuar Qeverisë së Kosovës nëntë rekomandime, të cilat ata duhet të adresojnë urgjentisht.

“Shkollat duhet të fokusohen në forcimin e kurrikulave të tyre të matematikës, leximit dhe shkencave, duke përfshirë më shumë mundësi mësimore praktike dhe të aplikuara. Mbështetja e studentëve me arritje të ulëta: Të ketë ndërhyrje të synuara dhe mbështetje për nxënësit me arritje të ulëta, të cilat ndihmojnë në ngritjen e nivelit të performancës së tyre. Ngushtimi i hendekut te performancës:  Të bëhet përpjekje e vazhdueshme për të mbështetur ata me arritje të ulëta, duke ofruar gjithashtu sfida për ata me arritje të larta. MASHT duhet të zhvillojnë strategji për të mbështetur nxënësit me prejardhje të pafavorshme, duke siguruar që ata të kenë qasje në mjetet e konkretizimit dhe mbështetjen që u nevojitet për të pasur sukses”, janë disa nga rekomandimet e PDK-së për arsimin, të cilat i propozoi Shala.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img