Site icon PrishtinaPress

PDK: Nëse Qeveria pajtohet me propozimet tona, do ta votojmë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike

Kryeministri Avdullah Hoti ditë më parë pati deklaruar se kjo do jetë java ku do të votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyqi ka thënë për Telegrafin se, Qeverisë ua kanë bërë të qartë se Projektligji duhet të plotësohet për t’u votuar nga deputetët e PDK-së.

Bytyqi tha se Qeverisë i kanë dërguar kërkesa konkrete për sektorin privat, punëtorët e sektorit publik që janë duke luftuar pandeminë si dhe mbështetje për prodhuesit vendor.

“…Ne e kemi bërë të qartë prej fillimit që Projektligji duhet të plotësohet. PDK ka dërguar një numër të caktuar të propozimeve, që janë masa konkrete financiare për sektorin privat, punëtorët e sektorit publik që janë duke luftuar pandeminë si dhe mbështetje për prodhuesit vendor”, tha Bytyqi.

Ai po ashtu tha se nëse Qeveria pajtohet me propozimet e tyre, PDK-ja do ta votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ndryshe, në mbledhjen e fundit të Komisioni për Buxhet dhe Transfere, PDK kishte shprehur gatishmëri që të ulet me partitë në pushtet dhe të diskutojnë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të kalojë, e kërkesë të vetme e ka që të përfshihen amendamentet e tyre. Ndryshe, ky Projektligj në mungesë të kuorumit kishte dështuar të miratohet nga ky Komision.

Në fillim të muajit nëntor, kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit, ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky Projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Nëse Projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon tek Presidenti për shpallje. Ndërkaq, Presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.

Në dispozitat e këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi e disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

Exit mobile version