Nënkryetarja e PDK-së, Besianë Musmurati ka thënë se kjo parti nuk ka votë për planin urbanistik për lagjen “Kalabria”, për të cilin Musmurati tha se po tentohet të kontrabandohet prona private në kurriz të banorëve të kësaj lagjeje.
Musmurati e ka krahasuar këtë plan urbanistik me atë të Badocit duke akuzuar Përparim Ramën është shndërruar në një zyre projektuese që nuk e sheh pronën publike si hapësirë për qytetarët, por veç si tokë për ndërtim.
“Në Badoc, Përparim Rama u mundua që ta tjetërsojë pronën publike për të akomodu kërkesat e disa kompanive të ndërtimit të afërta me të. Në planin e propozuar për lagjen Kalabria, prapë mbi 15 hektarë të pronës publike po vihen në shërbim të disa kompanive të ndërtimit. Në të dyja rastet, në Badoc dje dhe në Kalabri sot, Përparim Rama po tregon që është shnëdrruar në një zyre projektuese që nuk e sheh pronën publike si hapësirë për qytetarët, por veç si tokë për ndërtim.
PDK-ja në Prishtinë ka qenë gjithmonë e qartë sa i përket Badocit – prona publike nuk mund të tjetërsohet me asnjë kusht. Faktikisht, ra Badoci dhe u ndamë.
Rrjedhimisht, PDK-ja nuk ka votë për ketë plan të Kalabrisë, përmes së cilit po provohet të kontrabandohet prona publike në kurriz të banorëve. Ne nuk e kemi anuluar planin e kaluar, që sot të miratojmë një tjetër plan që ka synim akomodimin e interesave të disa kompanive të ndërtimit. Kjo më së miri shpërfaqet aty ku sot është Stacioni i Autobusëve, ku mbi 15 hektarë tokë publike po parashihet të ipen për kompani të ndërtimit”, ka shkruar ndër të tjera ajo.