Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili bashkë me ministrat e tij, sipas PDK më shumë po bashkëpunon me Serbinë, sesa me shqiptarët.
“Kisha pasur dëshirë me pa një bashkëpunim përtej konjukturave politike në mes të shqiptarëve, pasi që është shumë vështirë ta kuptoj: Pse Albini flet e bashkëpunon shumë më lehtë me Serbinë se sa me ne? Ku vajtën premtimet e dikurshme të LVV-së për bashkimin kombëtar e solidaritetin me Luginën e Preshevës?”, ka shkruar Bytyçi në faqen e tij në Facebook.
Postimi i plotë i Bytyçit:
“Në parim, kisha pasur dëshirë me pa një bashkëpunim të ngushtë mes të partive shqiptare për kërcënimin e përbashkët mirëpo të vetmin bashkëpunim të ngushtë Albini e LVV-ja e ka me Serbinë dhe zyrtarët e saj.
E këtu nuk e kam fjalën kur zgërdhihej me Brnabiqin, e as kafet e bashkëpunëtorëve të tij me Gjuriqin, e as bashkëpunimin e ministrit në detyrë Vitia me homologun e tij serb për veriun e Kosovës, duke ia dorëzuar kontrollin efektiv Serbisë për pjesën veriore të territorit të Kosovës.
Kisha pasur dëshirë me pa një bashkëpunim përtej konjukturave politike në mes të shqiptarëve, pasi që është shumë vështirë ta kuptoj: Pse Albini flet e bashkëpunon shumë më lehtë me Serbinë se sa me ne? Ku vajtën premtimet e dikurshme të LVV-së për bashkimin kombëtar e solidaritetin me Luginën e Preshevës?”, ka shkruar Bytyçi.