Site icon PrishtinaPress

PDK kritikon Qeverinë Kurti se s’ka vullnet për të luftuar korrupsionin

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe deputetja Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për media kanë folur për raportin e BE-së për Kosovën.

Tahiri dhe Deliu kanë thënë se ky raport dëshmon edhe paaftësinë e kësaj Qeverie për t’u marrë me problemet reale të qytetarëve të Kosovës.

“Kjo Qeveri nuk ka shënuar progres në fuqizimin e gjyqësorit. Kjo tregon për paaftësinë e tyre në fuqizimin e sundimit të ligjit. Ndërkaq, nënvizohet mungesa e vullnetit nga Qeveria për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë Tahiri.

Por, për disa rezultate pozitive që u thanë në raport, Tahiri tha se ato janë meritë e opozitës.

“Ne dallojmë shumë me mënyrën e të bërit opozitë me partinë në pushtet. Edhe si opozitë, kemi dhënë kontributin tonë në secilën mundësi për ti garantuar progres vendit. Prandaj, si Grup Parlamentar, ne i kemi dhënë mbështetje 30 marrëveshjeve ndërkombëtare, për dallim nga e kaluara e Vetëvendosjes. Për më tepër, si opozitë ne i kemi dhënë mbështetje Qeverisë edhe për Vetingut – çka e evidenton raporti i progresit”, ka thënë Tahiri.

Ndërkaq, deputetja Blerta Deliu-Kodra ka thënë se sfidat e raportit për vendin janë të mëdha dhe se të njëjtat do t’i trajtojnë edhe në Kuvendin e Kosovës përmes një seance që do ta thërrasin.

 “Raporti vërteton se nuk ka asnjë reformë të rëndësishme në aspiratën e Kosovës për integrim. Raporti vë theks në veprimet në lidhje me sundimin e ligjit, në reformat në Administratë Publike, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e deri te veprimet e mangëta për të luftuar informalitetin e ekonomisë. Shqetësuese mbetet edhe gjuha linquese që është përdorur ndaj gazetarëve”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ndërkaq, sa i përket punës së Kuvendit, Tahiri ka thënë se raporti thekson se ka një mazhorancë stabile në kuptimin e numrave, por “të dobët në menaxhimin e tyre”.

 Në fund, Tahiri ka komentuar edhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me raportin për vendin.

“Ajo ishte më shumë një konferencë për shtyp, ku Vetëvendosje mundohet t’i japë mësim Bashkimit Evropian e kritika si ajo po e trajton Serbinë sesa që folën për raportin e progresit. Besoj që Bashkimi Evropian ka qenë i vëmendshëm për të marrë këshilla nga Vetëvendosje. Të arriturat që i përmendën ata, janë kryesisht legjislative të cilat shumicën i kemi mbështetur ne”, përfundoi Tahiri.

Exit mobile version