Site icon PrishtinaPress

PDK kërkon siguri për gazetarët dhe punonjësit e mediave që raportojnë nga veriu

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar siguri për të gjithë gazetarët dhe punonjësit mediatikë që këto ditë po raportojnë nga veriu.

PDK i ka bërë thirrje Qeverisë, Policisë, KFOR-it dhe të gjitha institucioneve shtetërore që të garantojnë sigurinë e gazetarëve gjatë raportimit.

“Partia Demokratike e Kosovës shpreh indinjatën e thellë në lidhje me sulmet e përsëritura kundër gazetarëve nga huliganët në pjesën veriore të Kosovës.

PDK kërkon nga të gjitha organet përgjegjëse për sigurinë në komunat e pjesës veriore të vendit, Qeveria, Policia e Kosovës dhe KFOR-i, që të garantojnë raportimin e papenguar për gazetarët, kameramanët, fotografët dhe punëtorët e tjerë të mediave.

Rasti i sotëm, ku disa punëtorë të mediave u sulmuan dhe u lënduan, tregon edhe një herë për brishtësinë e situatës në pjesën veriore të Kosovës. Sulmet të tilla nuk mund të tolerohen dhe as të kalojnë të papenalizuara.

Gazetarët, sot, më shumë se kurdoherë, kanë nevojë për mbrojtje institucionale në kryerjen e detyrës së tyre në shërbim të informimit të drejtë të qytetarëve tanë” thuhet në reagimin zyrtar të PDK-së.

Exit mobile version