Site icon PrishtinaPress

PDK-ja thotë se Përparim Rama me rastin e Badocit dhe Kalabrisë po e sheh pronën publike veç tokë për ndërtim

Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri dhe deputetja e kësaj partie, Elisa Hoxha, përmes një konference për media kanë kërkuar që plani i lagjes “Kalabria” në kryeqytet të revidohet, ose në të kundërtën nuk do të përkrahet nga ta.

Retkoceri e krahasoi rastin me pronat në Badoc me planin e propozuar nga kryetari i Prishtinës për lagjen “Kalabria.

“Në planin e propozuar të Përparim Ramës për lagjen Kalabria, prapë mbi 15 hektarë të pronës publike po vihen në shërbim të disa kompanive të ndërtimit. Në të dyja rastet, në Badoc dje dhe në Kalabri sot, Përparim Rama po tregon që është shndërruar në një zyrë projektuese që nuk e sheh pronën publike si hapësirë për qytetarët, por veç si tokë për ndërtim”, tha Retkoceri.

Ndërsa, sipas deputetes Eliza Hoxha, PDK-ja s’ka votë për planin e “Kalabrisë”, përmes së cilit, sipas saj, po provohet të kontrabandohet prona publike në kurriz të banorëve.

Sipas saj, plani aktual që e ka propozuar Rama nuk përmban elementet e duhura ligjore, praktike dhe urbanistike.

Hoxha ftoi të gjithë publikun, përfshirë arkitektët, që të shikojnë planin dhe të bëhen aktivë në mbrojtjen e interesit publik.

Exit mobile version