Site icon PrishtinaPress

PDK-ja në mes të shkuares dhe të ardhmes

Shkruar nga Bahri Bivolaku
Me 10 tetor të vitit 1999, nga një grup veprimtarësh të mbledhur rreth strukturave drejtuese politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  u themelua Partia Demokratike e Kosovës.
Muajve të parë të ekzistencës kishte emërtimin Partia për Progres Demokratik të Kosovës. Në vitin e parë të ekzistencës iu bashkuan intelektualë e afaristë për të bërë fizionominë e plotë të saj me shtyllat kryesore.
Në rrugëtimin e saj, krijoi një elektorat stabil, fakt ky që i mundësoi qëndrueshmëri, por dhe të qenurit partia lidere në vend.
Në zgjedhjet nacionale të vitit 2001, kishte 212,672 votues, gjersa në vitet 2004 e 2007 për PDK-në votuan rreth 200,000 qytetarë.
Viti 2010 i zgjedhjeve nacionale dhe viti 2014 shënuan rritje të votës elektorale të listës kandiduese të PDK-së, e cila arrinë në mbi 220,000 votues, por që në këto rezultate kontribuan edhe ca subjekte politike si pjesë e koalicionit parazgjedhor.
Kontributi i kësaj partie në proceset në të cilat ka kaluar vendi, është evident dhe i pamohueshëm siç edhe dikush mund t’i numëron dobësitë.
17 vjet pas, gjithsesi që lidershipi i saj do të bëjë bilancin, e mbase edhe përcaktoj objektivat, përkatësisht vizionin për të ardhmen, pasi konsideroj që partia duhet ta ketë një etiketë të qartësuar programore.
Në rradhët e kësaj partie kishte lëvizje të kuadrove, politikanëve, por që si duket nuk kanë shkundje të madhe.
Sot, në rradhët e veta kjo parti ka anëtarë që për 17 vite kontribuan në rritjen e zhvillimin e saj, siç ka edhe të tillë që me pak vite e disa edhe muaj por që në vendimmarrje konsiderohen të barabartë, e mbase edhe të privilegjuar.
E tashmja politike në vend, përkundër të arriturave nuk kënaq shumëkënd dhe në këtë përvjetor, PDK-ja duhet të ndriçoj qëllimet për të ardhmen. Kapërcimi për sukses i të tashmes politike dhe qartësimi i qëllimit të madh për të ardhmen e vendit, është fusha politike, ku duhet ta gjej veten PDK-ja.
Drejtuesit e PDK-së duhet të qëndrojnë më pranë anëtarësisë
Mendimtarët thonë që një nga detyrimet e politikanit është të qëndroj pranë njerëzve që kërkon t’i drejtoj.
Vërtetë konsideroj që drejtuesit e PDK-së duhet të jenë më pranë dhe me të çasshëm me strukturën dhe anëtarësinë, duke u liruar nga ca aktivitete, të cilat përçojnë mesazhe përmes veprimeve simbolike.
Qëllimi i madh ndërtohet me veprime të tilla dhe me një strukturë partiake të ndërtuar mirë dhe tejet efikase.
Konsideroj që çasja e tillë për t’u qenë afër atyre që për 17 vite ishin besnik të këtij rrugëtimi, e bën më të lehtë synimin për të menduar dhe shtuar numrin e mbështetësve. Sot, vërtetë kanë lëvizur dëshirat elektorale, siç kanë lëvizuar edhe vullnetet e anëtarësisë së kësaj partie.
Nëse dikur liria dhe shteti ishin idealet e saja, sot barazia konsiderohet të jetë ideali primar. Në këtë mes edhe duhet gjetur objektivin veprues politik në 17-vjetorin e themelimit të PDK-së. Këto objektiva i gjejmë edhe në synimet e zhvillimit të mileniumit nga samiti i mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara.
Harmonizimi në mes të vrapit dhe ecjes politike
Në politikën e Kosovës sot, ka një krizë të qëndrimit a veprimit politik dhe PDK-ja si partia lidere duhet të kontriboj në harmonizimin në mes të tendencës për të vrapuar dhe ecjes së ngadaltë.
Ajo duhet të gjej forma dhe rrisë komunikimin e debatimin në mes të politikanëve idealist, të cilët vrapin për të zënë hapin e duhur politik e kanë mjet të arsyes, e të cilët grumbullohen rreth Lëvizjes Vetvendosje dhe tek grupimi tjetër, të cilët konsiderojnë se ecja e ngadaltë është veprimi i arsyeshëm e racional, madje më i sigurtë.
PDK-ja me politikat e saja duhet të gjithëve t’iu dëshmoj se në Kosovë ka kohë që miti, idealja ja ka dorëzuar armët arsyes, andaj politika e cila kërkon të vërtetën e fundit, duke e braktisur jetën dhe detyrimet nga universaliteti, është vështirë të realizohet.
Nxitimi, përkatësisht vrapi për tek idealja si e tillë shpeshëherë prodhon kundërproduktivitet dhe është kryesisht rezultat i vonesës së vetës sonë, duke mos ecur atëherë kur do të duhej të ecnim, e vrapi sot është i kotë.

Exit mobile version