Site icon PrishtinaPress

PDK-ja kërkon punë më të madhe nga diplomacia kosovare përballë Serbisë

Në periudhën e fundit fushata lobuese e Serbisë kundër Kosovës vetëm po rritet. Veç tendecës që të pengohet rruga në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, shteti serb po tenton që vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës t’i bëjë ta tërheqin këtë vendim.
Së fundi është rasti me Ganën, ku kryeparlamentari i këtij shteti ka thënë se do ta rishqyrtojnë pozicionin karshi Kosovës.

E në gjithë këtë situatë kritika të ashpra ka pasur edhe diplomacia kosovare, e cila sidomos nga opozita është vlerësuar se nuk po punon sa duhet.

Punë dhe angazhim më të madh nga të gjitha institucionet ka kërkuar edhe deputeti i PDK-së, Elmi Reçica.

Reçica i cili është edhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë për lajmi.net  se diplomacia kosovare duhet të jetë shumë më aktive.

Foto: Elmi Reçica, deputet i PDK-së

“Ne jemi të vetëdijshëm që Serbia është në një ofensivë, dhe është në fazën kur është duke punuar që të tërheqin njohjet, madje kanë dhënë edhe të mira materiale për atë qëllim. E ka theksuar edhe ministri i jashtëm në një raportim para komisionit se ata kanë ndarë shuma të konsiderueshme të parave për lobim kundër njohjeve të reja, dhe tërheqjen e njohjeve që janë realizuar. Normalisht që po e përcjellim këtë situatë besojmë dhe kërkojmë që diplomacia e jonë dhe të gjitha institucionet të jenë më active në këtë drejtim”, tha fillimisht deputeti i PDK-së.

Sipas Reçicës, punë të madhe duhet të bëjnë edhe Ministria e Jashtme, por edhe presidenti, Qeveria dhe Kuvendi.

Ai ka thënë se të gjitha institucionet duhet të kenë më shumë koordinim ndërmjet vete.

“Është e vërtetë që Serbia ka angazhim permanent, por edhe ne duhet të angazhohemi dhe të koordinohemi shumë më shumë, dhe të jemi më të gatshëm për mbrojtjen e njohjeve që veç janë realizuar dhe angazhimin për njohje të reja. Vlen edhe për Ministrinë e Jashtme, Presidentin, Qeverinë dhe Parlamentin”, theksoi anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend.

Ndryshe gjatë këtij viti Kosova do të tentoi të anëtarësohet në Interpol, ku do të jetë beteja tjetër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serbia pikërisht me fushatën lobuese kundër Kosovës e kishte pamundësuar anëtarësimin në UNESCO

Exit mobile version