Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Ligjin për Fondin Sovran do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo pasi sipas Tahirit, me këtë ligj mëtohet të krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe cenon vlerat kushtetuese të sundimit të ligjit.
“Në organizimin dhe funksionimin e tij, nuk do të zbatoj as ligjin bazik për ndërmarrjet publike, as ligjin e punës, as të prokurimit publik por do të qeveriset sipas tekeve të kuazi ekspertëve të shitur”.
“Ky ligj, qindra miliona euro koncentron në duart e një grupi të pushtetit, ndërsa mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë, duke i zëvendësuar me militantë partiak e me familjarë të pushtetarëve.
“Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste”, tha Tahiri.
Tahiri po ashtu paralajmëroi se shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial, Agron Beka, do ta çojnë po ashtu për vlerësim në Gjykatë Kushtetuese, pasi i njëjti përbën cenim të pavarësisë dhe punës së KPK-së.
“Ndërsa dje shumica parlamentare, po ashtu, pas një cirku votimesh, miratoi edhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga radha e profesorëve univeristar, Prof. Dr. Agron Beka dhe ky vendim paraqet përpjekjen e radhës për të bllokuar këtë institucion të pavarur kushtetues, që më pas ta kapin dhe nënshtrojnë”.
“Edhe ky vendim përbën cenim arbitar të pavarësisë dhe punës së KPK-së, dhe si grup parlamentar, ashtu siç jemi angazhuar në raste të tjera, edhe kësaj radhe nuk do të lejojmë prishjen e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve duke e dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.
Mbrëmë në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash ka kaluar Ligji për Fondin Sovran i cili parasheh që t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së.