Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Prishtinës ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në lidhje me tendencat dhe diskutimet për aktivitet afarist në liqenin e Badovcit.
Për të diskutuar mbi këtë çështje, Dega e PDK-së në Prishtinë mbrëmë ka mbajtur një mbledhje urgjente të kryesisë së saj.
Në këtë takim është vendosur që përmes asambleistëve të saj në Komunën e Prishtinës të nis menjëherë mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të Liqenit të Badovcit për qytetarët e Prishtinës, për furnizim me ujë si dhe ruajtje të mjedisit, Dega e PDK-së në Prishtinë konsideron se çdo tentim për të zhvilluar aktivitet afarist dhe banimor në afërsi të liqenit është i papranueshëm dhe nuk duhet të lejohet.
Rrjedhimisht, kërkon nga asambleistët e të gjitha partive në Kuvendin Komunal që t’i përgjigjen kësaj thirrje dhe të caktojnë sa më parë ditën për diskutim mbi këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për kryeqytetin dhe qytetarët e saj.