Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha përmes një konference për medie, është shprehur e shqetësuar në lidhje me mënyrën se si po menaxhohet pandemia nga ana e qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që krahas menaxhimit të kësaj situate, të krijohen kushtet për kthimin në shkolla të nxënësve.
Duke përcjellë qëndrimin e PDK-së, Hoxha ka thënë ndër të tjera se shtatori po e gjen Kosovën dhe qeverinë e saj pa një plan konkret se si do të vazhdojë mësimi për vitin 2020/2021.
“Pandemia ka marrë dinamikë komplet tjetër në Kosovë pas hapjes së madhe, të pakontrolluar nga Qershori, e nisja e mësimit në Shtator e gjen Kosovën dhe qeverinë tjetër të saj pa një plan konkret se si do të vazhdojë mësimi për vitin 2020/2021. Mësimi online ishte domosdoshmëri, jo vetëm në Kosovë por kudo në botë kur u vendos për mbyllje totale apo karantinim në fillet e pandemisë, por sot kur jemi në një moment tjetër të sfidave të hapjes që shkaktuan natyrshëm edhe rritje të të infektuarve me COVID 19, prindërit por edhe qeveritë e shumë vendeve përkundër kësaj, po apelojnë për hapjen e shkollave dhe kthimin e fëmijëve në kushte normaliteti për shkak të shumë pasojave psikologjike, ngecjeve në zhvillim të fëmijëve dhe realizim të kurrikulës, e po ashtu edhe në pabarazinë e madhe gjinore dhe etnike, që mësimi online e shpërfaqi kudo në botë, përfshi këtu edhe Kosovën”, tha Hoxha në konferencë.
Hoxha tha se, sipas hulumtimeve dhe së fundi edhe raportimit të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj para Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rini e Sport, mbi 10% e nxënësve kosovarë nuk kanë pasur fare qasje në mësimin online, kurse po ashtu kategoritë e tjera sociale dhe ato me fëmijë me nevoja të veçanta kanë pasur problematika të tjera gjatë kësaj periudhe, për shkak të specifikave në të nxënit dhe punës me ta, si dhe mungesës së pajisjeve.
“Kur jemi të kategoritë e tjera etnike në Kosovë p.sh komuniteti RAE, po ashtu kishte probleme gjatë kësaj periudhe – shifra arrin deri në 40% të tyre që nuk kanë pasur qasje në mësimin online. Një tjetër problem ka qenë shuma e madhe e platformave të komunikimit dhe nxënies që i ka lodhur edhe fëmijët edhe prindërit, e që njëkohësisht ka shpërfaqur problematikën e digjitalizimit të sistemit arsimor në Kosovë që kinse kishte nisur kohë më parë si agjendë prioritare. Arsyet kryesore: Mungesa e qasjes në internet, mungesa e pajisjeve teknologjike, mungesa e një tutori në familjet ku prindërit nuk janë të shkolluar – sidomos te grupet minoritare, mungesa e një tutori për fëmijët me nevoja të veçanta ku edhe prindërit janë me nevoja të veçanta. Andaj, jo rastësisht, nga shumë studime thuhet se mësimi online apo në shtëpi në situata izolimi, ka shpërfaqur dhe njëkohësisht ka thelluar pabarazinë shoqërore”, tha ajo.
Hoxha tha po ashtu se “PDK duke analizuar politikat, strategjitë dhe qasjet e vendeve të ndryshme të cilat po mobilizohen dhe përgatiten për rikthim në institucione, si dhe po ndërmarrin masa që konform situatës së sigurisë shëndetësore, nivelit të rrezikut dhe kapaciteteve (infrastrukturore dhe të resurseve njerëzore).
“UNICEF, Banka Botërore dhe organizata të tjera ndërkombëtare e vendore, së bashku me qeveritë e vendeve të ndryshme dhe shkollat, po punojnë jo vetëm në rihapjen e shkollave, por në rihapjen e shkollave me kushte më të mira higjienike dhe organizative si një mjedis që do të garantojë mundësi të re për mësimin e drejtpërdrejt. Po ashtu masat si verifikimi i temperaturës, stacionet e larjes së duarve dhe dezinfektimit, mbajtja e maskës dhe distanca fizike do të jenë pjesë e jetës së përditshme në këto institucione. Me një fjalë, pandemia ka shpërfaqur nevojën për norma të reja teknike hapësinore në institucionet publike. Kësaj i shtohet më pas edhe shenjëzimi dhe rekuizitat e tjera, të cilat me patjetër do të jenë pjesë e paletës së dizajnit të shkollave nëse mësimi do të mbahet në mjediset e saj. PDK ngrit shqetësimin se a është Kosova gati për rikthim në shkolla sepse deri më sot nuk e kemi parë ndonjë plan konkret nga qeveria për fillimin e mësimit nëpër shkolla, as ide për riorganizim hapësinor të shkollave, shenjëzim apo edhe kushte higjienike, duke e ditur se shkollat tona edhe në kushte normale aspektin higjienik e kanë problematik”, u shpreh Hoxha
Deputetja e PDK-së tha se skenare të shumta janë elaboruar nga praktikat ndërkombëtare si rikthimi total – sidomos për klasat e ulëta ku më problematikja mbetet klasa e parë, rikthimi i kombinuar – disa orë në shkollë e disa në shtëpi apo skenari i tretë – mësimi online.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht ministria e arsimit duhet që shëndetit dhe mirëqenien e fëmijëve ta vendosin në qendër të planeve rikuperuese nga COVID dhe me këtë ekspertë të fushave të ndryshme të përfshihen për të punuar së bashku për fëmijët. PDK thekson se mësimi ONLINE në kushte të izolimit total edhe e kishte kuptimin e vet pavarësisht cilësisë dhe problematikave që ka lënë pas. Por tani që shumica e aktiviteteve janë të hapura, prindërit duhet të punojnë jo vetëm për shkak të obligimeve por edhe për shkak të rëndesës eknomike të shkaktuar nga paaftësia e qeverisë Kurti dhe Hoti, të cilat dështuan rendë në përkrahjen ekonomike të qytetarëve tash e 6 muaj andaj është absurde që ministri i Arsimit t’i kërkojë secilës familje që njëri prind të qëndrojë në shtëpi për shkak të mësimit online sepse fëmijët e vegjël e kanë të pamundur të jenë pjesë e tij pa mbikqyrjen e prindit duke qenë se barra me e madhe i bie atyre”, tha Hoxha.
Ajo u shpreh se PDK thekson se klasat mund të riorganizohen, e në raste kur nuk ka mundësi për ta bërë një gjë të tillë klasa mund të ndahet në dy grupe dhe mësimi të mbahet me orar të shkurtuar për të dy grupet e një klase.
“Shenjëzimi dhe pajisjet higjienike shtesë janë të domosdoshme e hapësirave publike tashme dhe këto shërbime siç e dimë zakonisht tenderohen në bazë të ligjit të prokurimit dhe marrin kohën e vet. A ka kohë mjaftueshëm për këto procese deri me 1 Shtator? Që nga qershori kjo qeveri ka pasur kohë të mendojë se pandemia është ende këtu por rrethanat e funksionimit tonë shoqëror dhe hapësinor kanë ndryshuar pas hapjes dhe është dashur që përtej fazës adaptive gjatë periudhës së izolimit tani ishte dashur të kalojmë në fazën e rikuperimit dhe bashkëjetesës me pandeminë”, tha Hoxha.
Ndryshe, ajo parashtroi edhe disa pyetje në lidhje me këtë proces:
“Çfarë do të ndodhë më 12% të nxënëse që nuk kanë pasur fare qasje në arsim gjysmë vjetorin e kaluar? Çfarë do të ndodhë me 40 % te komuniteti RAE që nuk ka patur qasje në mësim? Çfarë do të ndodhë më fëmijët me nevoja të veçanta? Pandemia i ka rënduar fëmijët edhe gjatë kohës së izolimi – si do ta rikuperojmë aspektin e tyre emocional e psikologjik? A do të ketë një pakt digjital ku librat dhe fletoret e punës janë të digjitalizuar dhe mësimi për fëmijët të bëhet më joshës, duke qenë se ata me teknologjitë e reja të komunikimit nisin shumë herët e ato përjashtohen kur vie puna te arsimimi? PDK është e shqetësuar thellësisht dhe e vetëdijshme për situatën aktuale, mirëpo qeveria e Republikës së Kosovës ka përgjegjësi ta menaxhojë pandeminë dhe njëkohësisht të sigurojë kushte dhe mundësi për rikthim të fëmijëve në shkollë. Humbja e betejës së arsimit në raport me COVID 19 do të jetë humbja më e madhe për shtetin e Kosovës, sepse pasojat do të barten me gjenerata me radhë”, u shpreh Hoxha.