Partia Demokratike e Kosovës ka bërë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore, në Prishtinë.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se është i bindur që pas 9 shkurtit, Kosova do ta ketë një Kuvend, por edhe një Qeveri të re.
Ai tha se një Kosovë më e mirë është e mundur dhe kjo tha Krasniqi, do të bëhet me programin e PDK-së.
“Pas një muaji do ta zgjedhim një Kuvend të ri e Kosova do ta ketë një qeveri të re, që ju qytetarët do ta përcaktoni. Jam i bindur se ky do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve – një qeveri e re. Besoj se Kosova meriton dhe mundet më të mirë, një Kosovë ku çdo qytetar do të jetojë me dinjitet, krenari e me shumë mundësi. Një Kosovë më e mirë është e mundshme, këtë do ta bëjë Bedri Hamza me ekipin e tij. Ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar e realisht të realizueshëm, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Hamzën që ta na prijë në këto zgjedhje. Bedri Hamza është kryeministri më i mirë që mund ta ketë Kosova sot. Jam i bindur që Kuvendi dhe Qeveria e re janë shumë më të mira se këto që i kemi sot. Ju dhe unë e dimë se rrugëtimi ynë nuk ka qenë fare i lehtë, kemi kaluar nëpër sfida, por kemi mbijetuar të gjitha furtunave. Asnjë parti tjetër nuk do të arrinte të mbijetonte në rrethana të tilla”, tha Krasniqi në hapjen zyrtare të fushatës së PDK-së.
“Kjo fitore erdhi sepse ne promovuam kandidatët më të mirë që janë dëshmuar si liderë të denjë. Sot, unë jam krenar me 10 kryetarët e komunave nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, që janë kampionë të qeverisjes së mirë. Qytetarët shohin përtej logove dhe flamujve partiak. Sidomos në një vend të vogël si yni, ku është e lehtë të njohim njëri-tjetrin. Qytetarët kërkojnë njerëz që mund t’ju besojnë dhe t’i respektojnë për t’i udhëhequr. Dhe pikërisht për këtë arsye, jam thellësisht i bindur se Kuvendi i Ri dhe Qeveria e Re do të jenë shumë më të mira sesa këto që i kemi sot”, tha Krasniqi.
Krasniqi, nga Salla “1 Tetori” në Prishtinë, ka përshëndetur ish- liderët e UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, si dhe Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi dhe shokët e tyre që po zhvillojnë betejën e fundit në Hagë për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit tonë.
“E di që sikur mua, po ju mungojnë shumë secilit prej jush, e mezi po e presim rikthimin e tyre në Kosovë, pranë familjeve e miqve, por, deri atëherë, le t’ua bëjmë një premtim. Kosovën do ta bëjmë ma të mirë, sepse kjo është ajo që ne bëjmë dhe kemi bërë gjithmonë. Partia Demokratike e Kosovës është gati për këtë detyrë. Partia Demokratike e Kosovës është gati për fitore”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se qeveria aktuale e ka keqpërdorur besimin e qytetarëve dhe ka bërë që vendi të stagnojë në çdo fushë.
“Qeveritarët aktualë e kanë keqpërdorur besimin e qytetarëve duke zhgënjyer ata me paaftësinë e tyre dhe mosrealizimin e premtimeve që kanë dhënë. Sot qytetarët tanë me të drejtë janë të shqetësuar nga stagnimi dhe regresi që ka sjellë në çdo fushë kjo qeveri mburracakësh jokompentent. Por, sot nuk është koha për të humbë shpresën, por koha që qytetarët tanë të rrithejnë besimin dhe shpresën. Prandaj është koha që të besoni në të gjitha premtimet tona”, tha Krasniqi.