Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkruar sot se Komisioni i Venecias ka bërë edhe një opinion tjetër sa i përket Ligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sipas ministres, në këtë opinion të Venecias konfirmohet që Kosova ka adresuar të gjitha opinionet e Vencias duke “krijuar garanci për pavarësinë e Byrosë dhe avancimin në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”
Ministrja Haxhiu tutje ka shkruar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Partia Demokratike e Kosovës e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Byronë më 21 shkurt 2023 dhe ishin shprehur të bindur se Kushtetuesja do ta rrëzonte.
“Jemi të bindur se pushteti do të marrë një leksion të fuqishëm nga Gjykata Kushtetuese, duke anuluar në tërësi këtë ligj, duke e shpallë të pavlefshëm dhe jokushtetues në raport me shumë segmente kushtetuese, veçanërisht me garancionet kushtetuese të te Drejtave të Njeriut”- kishte thënë zëdhënësi i PDK-së, Faton Fetahu për kallxo.com.
Vencia në opinionin e parë që kishte publikuar për Byronë kishte adresuar një mal vërejtjesh për Projekt-Ligjin që kishte hartuar Kosova. Kjo kishte bërë që Ligji të ndryshohej me vërejtjet e marra nga Venecia. Edhe në opinionin e dytë të Venecias ishte konstatuar se s’ishin përmirësuar të gjitha vërejtjet e bëra. Por sot ministrja Haxhiu njofton se Venecia ka konfirmuar se Kosova ka adresuar të gjitha vërejtjet./Express/