10.2 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

PDK do zgjedhje, LDK thotë se s’ka krizë në koalicion

Zërat për prishje të koalicionit qeverisës, LDK-PDK, dhe për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, sa po vijnë e po shtohen.

Deputeti i PDK-së, Shaip Muja, ka thënë se opinioni i tij është se kjo qeverisje nuk duhet të vazhdohet tutje.

“Gjatë konventës së partisë ka pasur mendime dhe adresime nga anëtarësia për koalicionin. Ka pasur zëra të cilët e vlerësojnë se nuk është fundi i botës të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Edhe mendimi im është se kjo qeverisje ka filluar të degradojë. Mendoj që është në dorën e partnerëve të koalicionit të ulen dhe të bëjnë një bilanc dhe të shikohet a duhet të shkohet tutje apo jo. Edhe në Kuvend ka një rënie të motivimit dhe angazhimit. Më shumë ka improvizim për rritje të zhvillimit ekonomik se sa që është reale. Kjo qeverisje nuk mund të vazhdohet tutje, sepse kjo qeverisje e ka tensionuar situatën pa nevojë me çështjen e demarkacionit”, ka theksuar Muja në një emision në televizionin publik.

Ndërkohë, Lirije Kajtazi nga LDK, ka thënë se qeveria po e vazhdon punën e saj me sukses dhe nuk ka krizë.

“LDK e ka pjekurinë politike t’i kuptojë edhe zërat opozitarë, megjithatë meqenëse LDK udhëheq me qeverinë, ajo vazhdon me punët e veta. Nuk kemi ngecje në qeveri, por kemi ngecje pak a shumë në parlament. Është mirë të mësohemi e të presim mandat të rregullt dhe të japim mesazh te qytetarët se respektojmë mandatet. Ne duhet të përgatitemi për zgjedhjet lokale e jo për zgjedhjet nacionale. Nëse janë improvizime zhvillimet ekonomike, atëherë le të merren me mekanizmat ndërkombëtarë që i kanë dhënë këto statistika, por të gjithë indikatorët janë që ka zhvillim dhe ngritje ekonomike. Duhet të krenohemi me këto gjëra e të mos xhelozojmë”, është shprehur Kajtazi, duke iu kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së.

Ndërkohë, Faton Topalli, deputet i Vetëvendosjes, ka deklaruar se kjo qeveri që nga fillimi ka nisur me qeverisje të keqe.

“Që në fillim të kësaj qeverisje njerëzit u zhgënjyen dhe u pa largimi i 120 mijë qytetarëve nga Kosova, pasi e humbën shpresën pas formimit të këtij koalicioni. Kur flasim për zhvillim ekonomik ai duhet të reflektohet tek qytetarët. Nëse i pyesim sot qytetarët se a ndihen më të lehtësuar ekonomikisht në qeverisjen Mustafa këtë e vërejmë më së miri. Shumica e familjeve në Kosovë jetojnë me 1.29 cent në ditë që do të thotë jetojmë në varfëri të skajshme. Nëse i shikojmë statistikat jo që është rritur numri i të punësuarve, por është zvogëluar. Kemi çmimin më të lartë të rrymës në rajon. Kjo qeveri nuk e ka kryer mandatin qysh e ka proreklamuar. Nuk po funksionon as Kuvendi i Kosovës. Kemi një degradim total të sistemit gjyqësor. Pra kemi jashtëzakonisht shumë padrejtësi, të cilat kjo qeveri ka dështuar t’ua bëjë jetën më të mirë qytetarëve”, është shprehur Topalli.

Në anën tjetër, Enver Hoti nga Nisma për Kosovën, ka vlerësuar se jemi të vonuar me rrëzimin e qeverisë, por e konsideron se mocioni për mosbesim të Qeverisë i nisur nga partia e tij është në momentin e duhur.

“Kjo qeveri është dashur shumë më herët të bie. Jemi të vonuar në këtë aspekt. Gama e dështimeve është jashtëzakonisht e madhe. Kemi një krizë të cilën e ka krijuar kjo qeveri. NISMA ka marrë një iniciativë ligjore dhe demokratike për mosbesim të qeverisë dhe jemi në konsolidim të ngushtë me AAK-në dhe VV-në dhe tani jemi duke diskutuar edhe me disa deputetë të koalicionit. Jemi të bindur se mocioni është filluar në kohën më të përshtatshme. Opozita është duke punuar jashtëzakonisht shumë dhe mendojmë se deputetët duhet të dalin nga tutela e shefave të tyre dhe të marrin përgjegjësinë, pasi zgjidhja e vetme është të rrëzohet kjo qeveri dhe të shkohet në zgjedhje të reja”, ka thënë Hoti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img