Site icon PrishtinaPress

PDK deklarohet pas takimit të kryesisë dhe Grupit Parlamentar të këtij subjekti

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka takuar sot në një mbledhje të përbashkët Kryesinë dhe Grupin Parlamentar të PDK-së, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë shqetësimet në lidhje me situatën e krijuar në pjesën veriore të vendit.

Në këtë takim u rikonfirmua nevoja e veprimeve të përgjegjshme politike për ruajtjen e stabilitetit në vend, të cilat duhet të ndërmerren përmes koordinimit ndër-institucional dhe komunikimit ndër-partiak.

PDK vlerëson se tërheqja nga detyrat dhe përgjegjësitë institucionale të zyrtarëve të komunitetit serb, cenojnë sovranitetin juridik të shtetit tonë dhe mbarëvajtjen e rendit publik.

Prandaj, në këtë situatë, koordinimi mes qeverisë dhe opozitës dhe harmonizimi i veprimeve institucionale, përfshirë këtu Kuvendin e Kosovës, si dhe konsultimet me partnerët ndërkombëtarë, janë të domosdoshme.

Me këtë rast, PDK ka shprehur gatishmërinë për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi me Qeverinë rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë.

Exit mobile version