Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka bërë thirrje në emër të partisë që të mos votohet në lexim të dytë në Kuvend koeficienti 105 euro për pagat.
Tahiri kritikoi mënyrën se si Qeveria e ka sjellur në Kuvend këtë projektligj, që sipas tij është bërë në mënyrë arbitrare, pa u konsultuar me askënd, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kjo mënyrë e trajtimit të këtyre 82 mijë shërbyesve civilë, usharëve, policëve, në vendin tonë është shumë e padinjitetshme. Është shumë e turpshme mënyra si është trajtuar ky projektligj që ka të bëjë me mirëqënien e qytetarëve”, tha Tahiri në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Ai tha se PDK e kundërshton ashpër koeficientin pasi shtoi se e thellon varfërinë.
Njëkohësisht, Tahiri u bëri thirrje edhe deputetëve që të mos votojnë pro këtij koeficienti.
“Pra ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e kundërshtojmë ashpër këtë procedurë, dhe prapë po e theksoj se ky koeficient prej 105 eurove është i papranueshëm, e thellon varfërinë.”
“Po ju bëjmë thirrje mos e votoni këtë koeficient sepse është koeficient i mjerimit, koeficient i cili do t’i nxisë njeëzit të ikin nga vendet e punës që kanë dhe të lypin adresa të tjera pune jashtë Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kujtojmë se deputetët e Kuvendit në seancën e sotme kanë pranuar në lexim të parë koeficientin 105 euro për paga, në kuadër të plotësim-ndryshimit të Ligjit për ndarjet buxhetore në sektorin publik.
Koeficienti u miratua me 63 deputetë për, derisa kundër dhe abstenime nuk pati.
Buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik për vitin 2023 do të jetë 745 milionë euro. /Reporteri.net/.