Partia Demokratike e Kosovës është anëtarësuar në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës.Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, i cili tha se ky anëtarësim erdhi pas një pune dinamike gjatë gjithë vitit.
“Pas një pune dinamike gjatë gjithë vitit, me shumë takime dhe lobime, sot, në mbledhjen e dytë vjetore të Këshillit të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), të mbajtur në Bratisllavë të Sllovakisë, Partia Demokratike e Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota e kësaj partie pan-evropiane”.
“ALDE është grupacioni më i madh politik i partive të liberale të Evropës. Parimet themelore liberale të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, tolerancës dhe solidaritetit – janë vlerat që promovojnë partitë politike që qëndrojnë nën ombrellën e ALDE-s, e të cilat i kemi si mision për t’i zbatuar edhe në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai këtë e quajti hap të madh drejt përbrendësimit të vlerave evropiane.
“Pranimi ynë në ALDE vjen si finalizim i një procesi tejet të rëndësishëm për mua dhe PDK-në. Ky është një hap i madh drejt përbrendësimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti”.
“Një PDK e hapur dhe gjithëpërfshirëse, me vizion 50/50 për përfaqësim gjinor në të gjitha strukturat dhe nivelet e vendimmarrjes, me rini të fuqizuar dhe aktive, si dhe e integruar në rrjetin e partive liberale evropiane, është plotësisht në funksion të forcimit dhe demokratizimit të vendit dhe shoqërisë tone”, ka shkruar Krasniqi.