Site icon PrishtinaPress

PDK akuzon MKRS-në për abuzim të 335 mijë eurove, kërkon nisjen e hetimeve

Kryetari i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi në një konferencë për media ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të nisë hetimet për atë që ai e quan “aferën e abuzimit të 335 mijë eurove nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani”.

Bislimi tha se këto para të taksapaguesve kosovarë, përmes një skeme mashtrimi e kamuflimi që përbën një konflikt të pastër interesi me përgjegjësi ligjore, i ka përfituar me projektin e titulluar “Drejt Malit” Mimoza Osmani, e cila është motra e zëvendësministres Daulina Osmani, që është njeriu më i besuar i kryeministrit Albin Kurti në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka iniciuar muaj më parë një memorandum bashkëpunimi ku i ka përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Organizatën Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor”. Nëpërmjet këtij memorandumi, Ministria e Kulturës ia ka dhënë 335 mijë euro Organizatës Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor” e cila kishte obligim ta organizoj projektin “Drejt Malit”që kishte për qëllim dërgimin e nxënësve për skijim në Brezovicë. Kjo OJQ e kishte marrë përsipër t’i blejë pajisjet dimërore për nxënësit si dhe t’i akomodojë ata në një hotel në Brezovicë. Ajo çfarë ndodhi është se kjo Organizatë Jo Qeveritare, me paratë e Ministrisë së Kulturës e kontraktoi Kompaninë “Omnisport” me pronar burrin e motrës së zëvendësministres Daulina Osmani. Pra, motra e zëvendësministres përveç që e ka bashkëshort pronarin e kësaj kompanie, ajo edhe vet punon aty.”, theksoi ai.

Bazuar në titullin e ofertës, Bislimi tha se me këto 335 mijë euro u blenë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas dokumentacionit zyrtar nuk figuron i regjistruar fare në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi.

“Pra, disa prej këtyre parave të taksapaguesve kosovarë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosoves përfunduan në xhirollogarinë e hotelit në Serbi. Për ta vërtetuar të gjithë ju që zëvendësministrja Daulina Osmani ishte bartëse e këtij projekti që paratë ia dha kompanisë ku punon motra e saj, mund të hyni në faqen e saj në Facebook dhe e shihni si e promovonte këtë projekt. Madje ajo e kishte ftuar në Brezovicë gjatë atyre ditëve që po zbatohej projekti, edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili shkoi në Brezovicë dhe bashkë me zëvendësministren Daulina Osmani ato ditë me borë hipi në teleferik.”, shtoi ai.

Sipas Bislimit, kjo aferë abuzive është shqetësuese jo vetëm për përfitimin e një familjareje të titullares së Vetëvendosjes, por edhe sepse paratë janë shpenzuar për çmime të fryera me procedura të përshpejtuara.

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje ministrit Çeku që të japë llogari e të sqarojë këtë që ata e quajnë “aferë abuzive”.

“Edhe pse kanë kaluar disa ditë që ky projekt abuziv është denoncuar nga media, ministri i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku, ende nuk është deklaruar për këtë çështje dhe kjo heshtje nuk mund të interpretohet ndryshe përveçse si miratim.”, tha ai.

Exit mobile version