Site icon PrishtinaPress

PDK afër finalizimit të Qeverisë në Hije

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do ta themelojë shpejtë kabinetin e qeverisë së mirë, me të cilin synon ta sfidojë qeverisjen e Kryeministrit aktual, Albin Kurtit. 

Për këtë, dje PDK ka mbledhur strukturat e saj për ta diskituar këtë hap. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ideja e tyre do të finalizohet së shpejti.

“Bashkë folëm edhe për përgatitjet rreth themelimit të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, i cili do të finalizohet së shpejti. Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës në Kosovë, mbetet e përkushtuar që krahas reformave dhe angazhimit të bazuar në kompetencë, të ofrojë alternativa të mirëfillta qeverisëse e transformuese për vendin. Përveç kësaj teme, Krasniqi tha se dje në një takim të përbashkët me anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, diskutuan edhe për shumë tema të interesit qytetar, shtetëror e partiak. 

“Zhvillimet politike në vend, rajon dhe Evropë, situata e sigurisë, kriza ekonomike, shqetësimet e qytetarëve në raport me rritjen e çmimeve të produkteve, janë tema që duhet të trajtohen seriozisht dhe me prioritet”. 

Krasniqi u zotua se PDK mbetet e përkushtuar që krahas reformave dhe angazhimit të bazuar në kompetencë, të ofrojë alternativa të mirëfillta qeverisëse e transformuese për vendin. Një kabinet të tillë PDK e kishte jetësuar edhe pas luftës kur ishte parti opozitare. 

Kabineti i “Qeverisjes së Mirë”, siç e quante PDK-ja, apo “Qeveria në Hije”, kishte filluar punën më 1 qershor të vitit 2005. Ky kabinet përbëhej nga 14 departamente prej të cilave dy drejtoheshin nga shoqëria civile, ndërsa të tjerat nga Partia Demokratike.

Ende nuk dihet formati dhe modalitetet që PDK-ja do të aplikojë në qeverinë në hije të vitit 2021. 

Partia Demokratike herën e fundit i ka fituar zgjedhjet me koalicionin parazgjedhor PAN (PDK-AAK-Nisma) në vitin 2017. Dy vjet më vonë, kryeministri që vinte nga radhët e PAN-it, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje. Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, PDK-ja doli e treta, për të qëndruar më pas në opozitë edhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, 2020.

Exit mobile version