Site icon PrishtinaPress

Pasuria e Nasim Haradinaj, 5 milionë euro

Nasim Haradinaj u bë temë e secilës media muajve të fundit pasi u përplas si mysafir në Kuvendin e Kosovës me disa deputetë, e më pas ai u inkuadrua edhe direkt në krijim të agjendave.

Pasi nisi një debat për kundërshtimin e Speciales, ai bëri gati opinionin për dorëzimin e një kërkesë në Kuvend që kërkonte ta bënte pikërisht këtë gjë, shkruan gazetametro.net.

Ai e dorëzoi këtë dhe ua mundësoi liderëve institucionalë që të veprojnë duke u nisur nga kjo kërkesë e cila mori përkrahjen e deputetëve.

Nga liderët kosovarë u përkrah, por iniciativa e cila burimin e ka nga Nasim Haradinaj dhe anëtarët e tjerë të OVL-UÇK u kundërshtua ashpër nga ndërkombëtarët, e sidomos nga ambasadori amerikan.

Delawie kishte kundërshtuar ashpër këtë nismë duke e konsideruar si ‘thikë pas shpine për Amerikën’, e i cili reagim solli tërheqjen e Kadri Veselit. Por, jo të gjithë u tërhoqën, pasi nisma akoma është gjallë.

Nasim Haradinaj nuk tërhiqej nga ngulmimi për të çuar në vend ‘vullnetin e deputetëve’, e për këtë disa ditë më parë u deklarua sërish, por duke përdorur fyerje ndaj diplomatit më me ndikim në Kosovë, atij amerikan. ‘Palaço’ e kishte quajtur Hardinaj, Delawien.

Kjo ngjalli reagim ndaj Haradinajt, bile erdhi edhe distancimi i të gjithë fytyrave publike. Disa madje e kritikonin se po bëhet njeriu që po do ta mbajë Kosovën në izolim, ndërkohë që vetë ka familjen në Suedi dhe zotëron miliona.

Për këtë, Metro ka marrë raportet e deklarimit të pasurisë të fillimit të vitit të shkuar, ku rezulton se Nasim Haradinaj ka pasuri gati 5 milionë euro, apo thënë saktë 4.511.500 euro.

Haradinaj ka deklaruar 4 milionë e 400 mijë euro tokë të privatizuar. Po ashtu, tokë të trashëguar Haradinaj ka në vlerë 90 mijë euro.

Po ashtu, nënkryetari i OVL ka një veturë 11 mijë eurosh dhe një traktor që e ka vlerësuar 10 mijë e 500 euro.

E për gjithë këto të ardhura Haradinaj nuk ka deklaruar më shumë të hyra se sa nga një punë, ajo në Komunën e Deçanit ku është drejtor, dhe merr jo më shumë se 7 mijë e 900 euro në vit.

Ndërkohë, ai ka deklaruar edhe obligime financiare prej hiç më pak se 80 mijë eurove. Haradinaj ka deklaruar se ka kredi 60 mijë euro në TEB bank ndërkaq 20 mijë në Pro Credit Bank.

Exit mobile version