Site icon PrishtinaPress

Pasojat pas divorcit tek fëmijët

Ka raste kur e vetmja mënyrë për të dalë nga grindjet e vazhdueshme në familje, është divorci. Por, a mendohet ky hap si zgjidhja e fundit e çiftit, përkundrejt situatave që hasin në martesë? Ndërsa as në rastet kur ata janë prindër, nuk është që mendohet edhe aq me mençuri kjo punë! Prandaj psikologët dhe sociologët më fort brengosen për fatin e fëmijëve. Ata i druhen anës së errët të aktit në fjalë. Sipas tyre, pikërisht divorci mund t’i ndryshonte, jo vetëm sjelljet, por edhe gjendjet emocionale tek fëmijët – shkruan Gazeta e Re.

Psikologu Naim Telaku, në një prononcim për mediumin tonë tregon se, impakti i divorcit ka shumë rëndësi se si ka qenë funksionimi i familjes para aktit. Sipas tij, nëse ka qenë një familje disfunksionale e karakterizuar me konflikte familjare me mosmarrëveshje që rezultojnë me neglizhim të fëmijëve në rritjen e tyre, atëherë divorci është zgjidhje më e mirë, sesa jetesa e fëmijës në një familje me shumë konflikte.

Këto reagime të turbullta: “Pas divorcit të prindërve, rritja e fëmijëve mund të ketë pasoja afat shkurta dhe afat gjata. Në aspektin afat shkurtër: Te fëmija krijohet ideja ose gjendja e ankthit të ndarjes që veçse po e humb një pjesë shumë të rëndësishme të familjes e cila pastaj përcillet me rritje të ankthit, me mbyllje të fëmijës në vete, sidomos mbyllja e fëmijës në vete është shumë e zakonshme. Pastaj me linja afatgjata: Prindërit e divorcuar ndikojnë edhe në vlerësimin e fëmijës më vonë besimin që e ka në vete, në stilin e atashimit që e ka dhe e përcjell tek personat e tjerë. Fëmijët të cilëve ju kanë ndarë prindërit janë më dyshues, më të pa përshtatshëm në raporte romantike ose në përgjithësi sociale pastaj kanë ngecje të tjera në kompetencë sociale etj”, pohon Telaku.

E, si duhet të sillen prindërit kur janë para, gjatë ose pas divorcit? Ai propozon: “Të bëhet kujdes në rastin kur lidhja është drejt divorcit për shkak se në ato kohëra ndodhin konfliktet më të mëdha familjare. Në ato kohëra fëmijët mbesin mbrapa dhe tek pastaj pasi që të finalizohet divorci atëherë dikush merret me fëmijën”. Ai tregon që, është shumë e rëndësishme në këtë pjesë që prindërit të kujdesen që fëmija të mos ndihet fajtorë për ndarjen e tyre. “…për shkak se fëmijët e kanë një botëkuptim të atillë që për shumë gjana të këqija që ndodhin rreth tyre e sidomos kur përmenden ata, p.sh në fillim munden me pas zakon çka me bë me fëmijën, në raste të tilla fëmija din me fajësuar vetveten për gjithë ngjarjen edhe kjo mund të jetë tragjike më pastaj për fëmijën në kuptimin që i duhet një kohë shumë e gjatë për me e kaluar vet një ndjenjë të tillë të fajit”.

Tutje ai rekomandon që fëmijës është e rëndësishme t’i tregohet që nuk është faji i tij/saj për divorcin, “pastaj t’i tregohet që edhe pse po ndahen prindërit ai/ajo nuk është duke i humb prindërit prapë kanë me vazhduar me dashtë prindërit vazhdimisht, përpos kësaj është e rëndësishme që fëmijës t’i ofrohet një vatër e qet dhe e ngrohtë, një atmosferë ku ai/ajo nuk ndihet i/e përjashtuar edhe i/e padëshiruar në këtë botë vetëm për shkak që prindërit e tij janë nda”.

Nga ana tjetër Donika Tahirsylaj-Alidemi, psikologe në klinikën e neurologjisë në QKUK, bëri të dikur se, ndikimi i divorcit të prindërve shfaqet ndryshe tek fëmijë të ndryshëm.

“Fëmijët shfaqin kryesisht sjellje agresive, bëhen të pashoqërueshëm, krijojnë varësi, nuk afrohen lehtë në rrethin social ku bëjnë pjesë. Por mbyllen në vetvete, ndjejnë pasiguri dhe shfaqin shenja pa lumturie”. Sipas saj: “Këto sjellje janë të theksuara më shumë vitet e para të divorcit të prindërve dhe zbehen me kalimin e kohës”, deklaron Tahirsylaj-Alidemi.

Ajo vijon duke thënë se, nëse prindërit kanë vendosur të divorcohen duhet të gjejnë të dy një mënyrë për të folur me fëmijën, “për ta informuar se çfarë mund të ndodhë apo do të ndodhë në mënyrë të tillë që fëmija mos të traumatizohet në të ardhmen. Gjatë divorcit prindërit, pavarësisht problemeve të tyre, duhet t’i përkushtohen dhe fëmijëve sepse ata kanë nevojë më shumë se kurrë për vëmendjen e tyre”. Dhe se, “Prindërit e ndarë nuk duhet t’u flasin keq fëmijëve për babin ose nënën e tyre. Fëmijëve duhet t’i mundësohet takimi me prindin tjetër që jetojnë të ndarë dhe mos t’i mohohet kjo e drejtë”.

Gjatë analizave të bëra për vitet pas 1956 e deri në ditë e tashme, kemi kuptuar se numri i rasteve të shkurorëzuar është rritur rreth katër deri pesë herë. Në dekadën e fundit, lëvizje të theksuara sa i përket rritjes së shkurorëzimeve ka edhe mes qifteve me fëmijë. Kësisoj, shkurorëzimi ka atakuar të gjitha strukturat e shoqërisë, duke shënuar rritje.

Çdo çifti i cili i ka dhënë fund martesës, ka kaluar ose kalon nëpër tri faza: faza e paranderjes, ndarjes dhe pas ndarjes. Secila nga këto faza i ka peripecitë apo vështirësitë e veta, që, hë për hë, shoqërohet edhe me probleme dhe konflikte familjare, ka thënë ndër të tjera profesori i sociologjisë Besim Gollopeni.

Natyrisht “se më të pafuqishmit që të bëjnë diç në kësosh situata, janë fëmijët. Madje, fëmijët tërë këtë proces e konsumojnë si pjesë e fajësisë së tyre. Kështu, duke bërë që efektet për vet fëmijët të rriten. Sigurisht se vjen në shprehje dëshpërimi, agresiviteti, zemërimi dhe frika. Për këtë kategori të fëmijëve shfaqen probleme në shkollë dhe shoqëri etj., vijën në shprehje distancimi nga bashkëmoshatarët e tyre, suksesi i ulët në mësime, ndjenja e inferioritetit, heshtja. Gjithsesi, në shoqërinë kosovare për rrethana mentaliteti vjen në shprehje edhe margjinalizimi dhe stigmatizimi. Sigurisht, vijnë në shprehje edhe aspektet psiko-sociale dhe ekonomike”, shprehet Gollopeni.

Ai thotë kështu, ““Edhe te e keqja më e madhe (divorci), ka diçka të mirë”. Nëse nuk funksionon martesa, më mirë është një fund i tmerrshëm se sa një tmerr i pafund”.

Por cila është e mira e gjithë kësaj?! Sipas tij, “Nëse qifti arrin të shkurorëzohet me sa më pak efekte negative për veten dhe fëmijët e tyre, kjo do të ishte e mira e kësaj të keqe. Gjithsesi, është shumë e rëndësishme që të bisedohet me fëmijët dhe t’iu bëhet e qartë se ne (prindërit) nuk do të jetojmë më bashkë, se kjo nuk po ndodh për fajin tuaj, për kontaktet dhe kujdesin e përhershëm që do të vazhdoj (prindër – fëmijë), dhe përfundimisht, ndarja të realizohet në mënyrë sa më të civilizuar dhe kësisoj do të jetë më lehtë e përballueshme për fëmijë”.

Kujtojmë që, raporti i fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), tha se numri i divorceve në Kosovë ka ardhur gjithmonë në rritje, ku rezulton se 1110 martesa përfunduan në ndarje vetëm vitin e shkuar./Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Exit mobile version