Ambasada amerikane ia ka lëshuar vizën kryeministrit Ramush Haradinaj, vetëm pasi shefi i ekzekutivit u tërhoq nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale, i kanë thënë burime të mirinformuara Gazetës Express.
Tërheqja nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale e ka shpërblyer kryeministrin Ramush Haradinaj me vizën amerikane, që nuk po i lëshohej pasi që nuk po i bindej ambasadorëve të huaj, të cilët paralajmëronin izolim total të Kosovës nëse e shfuqizojnë Gjykatën Speciale.
Gazeta Express ka mësuar sot nga burimet e saj se Ambasada amerikane do t’ia lëshojë vizën kryeministrit Haradinaj dhe kjo vjen vetëm pasi ai ndryshoi qëndrim rresh shfuqizimit të Speciales.
Kreu i ekzekutivit, në një intervistë për DW para gazetarit Tim Sebastian, pohoi se Gjykata Speciale nuk do të zhbëhet, duke treguar se sa të rëndësishme e ka që Kosova të ecën në rrugën evropiane.
Kjo deklaratë e Haradinajt ndryshonte nga ato që ai i kishte dhënë më herët. Kryeministri këmbëngulte se qëndron pas të drejtës së deputetëve për të vendosur se çka të shfuqizohet në Kuvend, e për këtë nuk pyetën ambasadorët. Këta të fundit, nga ana tjetër, ishin aktivizuar për t’ua bërë me dije pasojat e rënda që i vijnë shtetit të Kosovës nëse zhbëhet Specialja.
Kryeministri Haradinaj dje, po ashtu, i është dhënë viza për Britani të Madhe edhe pse më herët ishte raportuar që, pas vizës amerikane, edhe britanikët i kanë bërë probleme të parit të Qeverisë.
Haradinaj në fillim të janarit e pati të shkojë për vizitë në Iowa të SHBA-së për shkak se nuk i ishte lëshuar viza. Kjo ndalesë e tij erdhi pasi edhe Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi për nismën e shfuqizimit të Speciales.