Rifat Jashari ka falënderuar mysafirët që i shkuan sot në kullën e familjes në Prekaz, në nderë të Epopesë së UÇK-së.
Përfaqësuesi i familjes Jashari ka falënderuar krerët shtetërorë për vizitën dhe në veçanti presidenten Vjosa Osmani për ndarjen e Urdhrit të Lirisë.
Pas ceremonisë së dekorimit, Jashari falënderoi mysafirët e tij dhe u shprehu atyre dëshirën për t’iu shërbyer nga një kafe. Por, tha se mundësi për këtë nuk ka.
“Falemnderit tanve! Rendi e do nga një kafe por mundësi pasha një Zot nuk ka”, iu tha Jashari, mysafirëve.
Në Kosovë më 5 mars ka nisur shënimi i manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa krerët shtetërorë nderuan rezistencën e familjes Jashari nga Prekazi.
Krerët shtetërorë nderuan sot lartë pjesëmarrësit dhe të rënët në luftën e fundit dhe Adem Jasharin, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së dhe familjes së tij.
Ata bënë sot homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz.
Po ashtu, në nderim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së sot Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne, ndërsa do të ketë edhe aktivitete të tjera.