Site icon PrishtinaPress

Pas votimit për pezullim të grevës, BSPK thërret konferencë të jashtëzakonshme

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të mbajë sot konferencë të jashtëzakonshme për media.

Sipas njoftimit dërguar mediave, konferenca do të mbahet në orën 14:00, në Sallën “1 Tetori”.

 “Ju informojmë se BSPK sot, e shtunë, më 1 tetor 2022 në orën 14:00  në Qendrën e Studentëve Salla “1 Tetori” mban Konferencën e jashtëzakonshme për medie”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, SBAShK-u përmes një postimi në Facebok ka treguar se pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%.

Këshilli Grevist i SBASHK-ut i është drejtuar anëtarësisë, që nga çerdhet e deri në universitete që të deklarohen se si të veprohet tutje.

“Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të SBASHK-ut, që është 25.118 nga ta 314 janë në pushime tê lindjes apo pushime pa pagesë. Në deklarim kanë marrë pjesë 21.516 ose 86.91%, ndërsa nuk kanë marrë pjesë në deklarim 3.288 ose 13.09%. Nga të deklaruarit pro pezullimit të përkohshëm të grevës ( më së largu deri në janar 2023) janë deklaruar 11.809 ose 54.88% , ndërsa kundër pezullimit të grevës janë deklaruar 9.707 ose 45.12%”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.

Këto shënime, sipas SBAShK-ut do t’i dorëzohen Këshillit Grevist të BSPK-së për t’i bashkëngjitur me rezultatet e deklarime të anëtarësisë së SPAK dhe pastaj do të shpallet vendimi lidhur me grevën, e cila është shpallur nga BSPK.

Po ashtu SBAShK ka falënderuar anëtarësinë e saj ‘duke ju shprehur respektin për qëndrimin dinjitoz gjatë gjithë viteve e dekadave të punës në misionin e shenjtë për edukimin e arsimimin e brezave’.

“Qëndruat dinjitoz e bashkë e në SBASHK edhe gjatë gjithë grevës, që erdhi pa dëshirën tuaj, po për shkak të qasjes së gabuar të Qeverisë ndaj sindikatave dhe mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog e zgjedhje të kërkesave tuaja legjitime. Na fyen e linçuan, por ari nuk përlyhet. Ju ishit dhe mbeteni luftëtarë të dritës kundër errësirës. Të vazhdojmë rrugëtimin Bashkë e në SBASHK”m thuhet në reagimin e SBAShK-ut.

Po ashtu tutje thuhet se SBASHK edhe njëherë dëshmoi se vepron duke u bazuar në zërin e anëtarësisë, e jo, siç janë munduar të plasojnë shpifje disa individë a grupacione se vendosin individë të caktuar.

Kështu, sipas SBAShK-ut u veprua edhe lidhur me grevën e filluar më 25 gusht.

Exit mobile version