Site icon PrishtinaPress

Pas vërshimeve, kjo është gjendja aktuale e ujit të pijshëm nga KRU “Prishtina”

Për shkak të reshjeve atmosferike ditëve të fundit, gjendja e ujit të papërpunuar në liqe dhe në kanalin e “Ibër Lepencit” është përkeqësuar sërish, për shkak të ngritjes së turbullirës, gjë që nuk po lejon të trajtojmë ujë të pijshëm në kushte optimale, ka njoftuar KRU “Prishtina”.

Gjendja më e papërshtatshme është në fabrikën e trajtimit të ujit në  FPU-Drenas,  që ujin primar e merr nga kanali i Ibrit në Bivolak.

Ky kanal, me gjatësi prej 50 km, është i pambrojtur nga ujërat sipërfaqësore gjatë reshjeve, duke ndikuar që turbullira në këtë kanal të jetë në vlera të larta e që na pamundëson trajtimin e ujit të pijshëm, për shkak që shfaqen probleme teknologjike dhe papastërti. Situatë të ngjashme gjatë ditës së sotme kemi edhe në Lipjan(fshatin-Torinë), për shkak të përmbytjeve si dhe në Fushë Kosovë/Miradi e Ulët, poashtu për shkak të përmbytjeve nga lumi Sitnica.

Në të gjitha zonat e tjera të shërbimit vazhdon furnizim stabil me ujë të pijshëm, por jemi duke e monitoruar në vazhdimësi kualitetin e ujit , për shkak të situatës së krijuar së fundmi.

KRU “Prishtina” kërkon mirëkuptim nga konsumatorët e zonave të prekura!

Exit mobile version