Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në ditën kur partia që kontrollohet nga ai në Kosovë, Lista Serbe vendosi që t’i braktis institucionet e Kosovës, ka takuar ambasadorët e Rusisë dhe Kinës në Beograd për të biseduar me ta për gjendjen e krijuar.
Pas takimit me ambasadorin rus, Botsan – Kharchenko, Vuçiqi ka thënë se “përsërita mirënjohjen tonë për qëndrimin parimor të Federatës Ruse dhe mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë”.
Ndërsa, ambasadori rus ka thënë se të gjitha informacionet që iu prezantuan do t’ia përcjell Moskës zyrtare.
Në takim me ambasadoren kineze Chen Bo, Vuçiq bëri të ditur se i ka thënë asaj që “përkundër të gjitha sfidave, Serbia vazhdon të udhëheqë një politikë të përgjegjshme paqeje dhe stabiliteti si dhe mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit ndërkombëtar e zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani”.