Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se numërimi i këtyre fletëvotimeve nuk mund të fillojë gjatë ditës së sotme.

“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dimë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm”, ka thënë Elezi për Telegrafin.

Ai shtoi se pasi të bëhet ky vlerësim do të dihet saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara dhe se vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen.

Elezi gjithashtu bëri të ditur se KQZ lidhur me këtë gjë do të mbajë mbledhje sot në ora 11:30.