Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pritet të mbajë mbledhje gjatë ditës së sotme pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme që e detyron KQZ-në të numërojë 4.639 fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se numërimi i këtyre fletëvotimeve nuk mund të fillojë gjatë ditës së sotme.
“Para fillimit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është e nevojshme që të bëhet shqyrtimi dhe vlerësimi i zarfeve të supozuara me fletëvotime. Vlerësimi ka për qëllim që ta dimë nëse fletëvotimi është dërguar nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, apo është dërguar nga ndonjë person tjetër që nuk e plotëson këtë kriter të domosdoshëm”, ka thënë Elezi për Telegrafin.
Ai shtoi se pasi të bëhet ky vlerësim do të dihet saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara dhe sa është i atyre të refuzuara dhe se vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen.
Elezi gjithashtu bëri të ditur se KQZ lidhur me këtë gjë do të mbajë mbledhje sot në ora 11:30.