Zyra e Rregullatorit të Energjisë, është kujtuar të reagojë më në fund lidhur me shtrenjtimin e çmimit të rrymës.
Në një komunikatë për media, ZRrE ka pretenduar se ende nuk ka ndonjë vendim, dhe se raporti është në konsultim publik.
Ky reagim vjen pas tortes me të cilën e gjuajtën aktivistët e shoqërisë civile Ymer Fejzullahun, kryeshefin e ZRrE-së.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) dëshiron të sqarojë opinionin publik se aktualisht nuk është marrë asnjë vendim për rritjen e tarifave të energjisë. Me qëllim që të sigurohet transparencë dhe të krijohet mundësia e një dialogu të hapur nga të gjitha palët e interesuara, ZRRE-ja ka vendosur të ndajë për konsultim publik Raportin Konsultativ për të Hyrat e Lejuara Maksimale”, thuhet në reagim.
“Në kuadër të përpjekjeve për të garantuar një proces të hapur dhe transparent, ZRRE-ja fton të gjitha palët e interesuara – përfshirë konsumatorët, organizatat e shoqërisë civile, bizneset, që të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre mbi raportin e publikuar deri më 28 mars. Ky proces është një mundësi për të siguruar që çdo vendim të marrë të bazohet në mendime të shumta dhe të ndihmojë në krijimin e një sistemi të drejtë dhe të balancuar për të gjithë”, thuhet më tutje.
“ZRRE-ja është e angazhuar për të siguruar informacion të plotë, të saktë dhe të qartë dhe për të mbajtur një komunikim të hapur dhe të vazhdueshëm me publikun për çdo zhvillim që mund të ndikojë në tarifat e energjisë. Për më shumë detaje dhe për të paraqitur komentet tuaja, ju mund të vizitoni faqen zyrtare të ZRRE-së”,përfundon komunikata e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
Për shtrenjtimin e çmimit të rrymës është paralajmëruar edhe një protestë gjithëpopullore në Prishtinë.
Vetëm pak ditë më parë, Fejzullahu kërkonte nga qytetarët ta gjejnë vetë rrymën më lirë.
Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, Ymer Zejnullahu ishte cinik, të premten foli për shqetësimet e qytetarëve lidhur shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës për 15%.
Duke vënë në dukje se ata nuk kanë alternativë tjetër përveçse t’i pranojnë tarifat e reja nga 1 prilli, ai u tha qytetarëve se mund të negociojnë me furnizues të tjerë privat, nëse mund të gjejnë “çmime më të favorshme”.
“Kjo është kosto e sistemit. Ne e kemi edhe një mundësi tjetër: qytetarët, i kishim lutë të gjithë ata qytetarë që kanë.. si me thënë… ky është detyrim i ZRRE-së me e përcaktu këtë çmim për qytetarët për shtëpiakët dhe bizneset e vogla. Mirëpo 100% e qytetarëve kanë të drejtë me shku me negociu me cilindo investitor privat ose furnizues i cili është i licencuar nga ZRRE-ja çmime, nëse konsiderojnë që gjejnë më të favorshme sesa këto që janë të përcaktuara nga ana e ZRRE-së. Prandaj, i lusim qytetarët që të kenë”, tha ai.