Hakerët kanë sulmuar sistemin bankar të Bankës Ekonomike.
Sipas një artikulli nga “medium.com”, hakimi është bërë nga “DopplePaymer” që kanë në cak korporata të mëdha.
Hakerët “DoppelPaymer Ransomware”, kanë lëshuar në publik të dhënat e bankës, ku përfshihen mbi 70 GB të dhëna transaksionesh financiare.
Rasti është konfirmuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
BQK ka thënë se është njoftuar me kohë nga Banka Ekonomike për sulmin kibernetik “duke ndikuar në funksionalitetin e disa shërbimeve bankare, të cilat më pastaj bazuar në konfirmimin e bankës, këto shërbime bankare janë kthyer në gjendje normale”.
BQK ka bërë të ditur se i ka informuar edhe organet shtetërore, teksa ka shtuar se mjetet në llogari të klientëve janë të sigurta.
“Konform fushëveprimit dhe mandatit të BQK-së, ju informojmë që mjetet në llogaritë e klientëve janë të sigurta, por që sulmi kibernetik ka të bëjë me rrjedhje të informatave që lidhen me fushën e privatësisë.
Banka në fjalë, tashmë ka ndërmarrë hapat konkret në kontekst të hulumtimit dhe eliminimit të këtij sulmi kibernetik.
Po ashtu, BQK përcjellë në vazhdimësi stabilitetin e sektorit bankar dhe të bankave individuale, e që bazuar në treguesit kryesor financiar sektori bankar është stabil”, thuhet në njoftim të BQK-së.