Site icon PrishtinaPress

Pas “shuplakës” ndaj Kurtit, Rama paralajmëron “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë

Pasi ndëshkoi Albin Kurtin javën e kaluar duke anuluar mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës të parashikuar për t’u mbajtur në Gjakovë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ditën e sotme ka paralajmëruar “ngrirje” të marrëdhënieve me Serbinë në rast se policët e marrë peng në Veri të Kosovës nuk lirohen. Nëse Serbia nuk liron tre policët e Kosovës që mbahen në paraburgim, Rama paralajmëroi sot ftohjen e marrëdhënieve me Serbinë.

Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa. Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”, theksoi Rama në një reagim në Twitter.

Mirëpo Rama nuk i ka zbutur qëndrimet e tij as ndaj Albin Kurtit, ndonëse janë interpretuar si një sulm “hakmarrës” ndaj kryeministrit të Kosovës. Rama thekson se me qëndrimet e Kurtit, sipas tij Kosova po rrezikon që të humbasë veriun e saj. Kryeministri shqiptar shton se veriu i Kosovës mund të kalojë nën kontrollin e KFOR nëse de-eskalimi nuk ndodh.

“Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon”, shtoi ai.

Sa i përket qëndrimeve që ka mbajtur ndaj Kurtit Rama thotë se janë në të njëjtën frekuencë me qëndrimet që kanë mbajtur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, të cilat i kanë kërkuar me ngulm Kryeministrit Kurti që të ndërmarrë hapat e menjëhershëm për çtensionimin e situatës.

Javën e kaluar Rama propozoi një takim të ngushtë me Kurtin, në praninë dhe të ministrave respektivë të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, ndërsa paralajmëroi rrezikun e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kosovës. Pasi takimi u refuzua nga kryeministri i Kosovës Rama vendosi anulimin e mbledhjes me pretendimin se “në kushtet e agravimit me orë, të marrëdhënieve të Kosovës me krejt bashkësinë euroatlantike ky takim nuk mund të mbahet në formatin e parashikuar”.

Kryeministri i Kosovës, duke nënvizuar se anulimi ka ndodhur nga homologu i tij, tha se një vendim i tillë është i paarsyeshëm. Kurti u shpreh se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.

“Kjo mbledhje është përgatitur muaj më parë dhe me kryeministrin Rama ne jemi në kontakt dhe takohemi shpesh, mirëpo mbledhjet e dy qeverive janë diçka tjetër, nuk mund të zëvendësohen mbledhjet e qeverive me takime të kryeministrave për shkak se ne duhej të nënshkruanim 13 marrëveshje. I kemi 13 marrëveshje me tekst të dakorduar që po na presin në sirtar dhe konsideroj që mosnënshkrimi i tyre sot është gabim dhe çdo ditë që ato nuk janë të nënshkruara dhe nuk zbatohen është dëm për qytetarët tanë. Kjo nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit, sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ne jemi dy shtete por jemi të të njëjtit komb dhe duhet të punojmë sa me shumë, në funksion të saj ishte edhe mbledhje e dy qeverive qe për bindjen time është e paarsyeshme qe nuk është mbajtur sot”, deklaroi Kurti.

Exit mobile version