Nga një superndeshje përballe Romës, te një zënkë me trajnerin e kombëtares Gianni de Biasi, mos grumbullimi me kuqezinjtë dhe më pas te stërvitja me fëmijët e akademisë së Viktoria Plzen. Kjo është parabola e dy muajve të fundit së Ergys Kaçes, i cili po kalon një nga momentet më të vështira të karrierës së tij
Futbollisti 23 vjeçar, Ergys Kaçe ka përfunduar jashtë planeve të klubit çek dhe prej disa javësh nuk është më pjesë e formacionit. Sipas mediave greke, ai ka kërkuar që të kthehet te PAOK, klubi i cili e huazoi te Plzen, por situata nuk është edhe aq e thjeshtë, shkruan Panorama Sport.
Për një arsye apo një tjetër, Kaçe nuk bën pjesë në planet e klubit dhe e ka parë veten vazhdimisht në tribunë, as në solin e rezervave. Gjatë javës së kaluar, Kaçe kërkoi tre ditë leje nga klubi i tij dhe u kthye në Greqi, për të takuar familjen.
Por gjatë qëndrimit në Selanik, ai u pranoi miqve të tij se e kishte të pamundur të vazhdonte të qëndronte të Viktoria. Ai u tregoi gjithashtu se pas kthimit në Republikën Çeke, do të ishte i detyruar të stërvitej me ekipin e dytë, pasi klubi e kishte njoftuar me SMS.
Situata është përkeqësuar që pas fundjavës. Mediat greke tashmë raportojnë se lojtarit i kanë marrë edhe makinën që i ka dhënë klubi si dhe nuk i japin as pantoflat për dush pas stërvitjeve.
Ndërkohë, ai kryen stërvitjen përkrah fëmijëve të akademisë, në një situatë absurde për një lojtar profesionist i cili deri pak muaj më parë kishte pretendime që të transferohej në kampionatin italian.
PAOK, i cili zotëron kartonin e lojtarit, është i informuar për këtë situatë, por nuk mund të bëjë asgjë deri në dhjetor, kur mbyllet pjesa e parë e kampionatit në Republikën Çeke. Futbollisti është dhënë me të drejtë huazimi deri në fund të sezonit dhe Viktoria Plzen mund të vendosë ta mbajë atë deri në qershor.